LAJMI I FUNDIT:

Aftësimi profesional e ardhmja e ekonomisë vendore

Aftësimi profesional e ardhmja e ekonomisë vendore

Në kuadër të projektit tradicional të “Javëve të Biznesit Kosovar 2015”, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve, kanë vizituar Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, ku është bërë edhe hapja e klinikës specialistike dentare.

Delegacioni i AKB-së gjatë vizitës janë informuar nga udhëheqësit e shkollës lidhur me historikun, ecurinë dhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë dhe kanë vizituar dhomat e mësimit e praktikës dhe zyrat e laboratorët.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se ndihen të impresionuar me kushtet e larta dhe teknologjinë që ofron kjo qendër për nxënësit, të cilët po aftësohen profesionalisht dhe të cilët do të ndikojnë në rritjen e ekonomisë së Kosovës.


“Kjo qendër Kosovës i ofron përgatitje profesionale apo ekspertë nga tetë profile apo fabrika që ka shkolla me teknologji e cila është e cilësisë së lartë dhe që deri tash i ka munguar vendit. Këtë teknologji rrallë kush e ka, falë ndihmës nga Qeveria e Luksemburgut, por Qeveria e Kosovës, duhet të mbështes qendrën, në mënyrë që investimet aty të mos shkojnë në dëme dhe që në të ardhmen të shtohen”, tha Shahini.

Ai shtoi se jo vetëm shtetit por edhe rajonit i nevojiten ekspertë të profilizuar dhe që nxënësit e kësaj qendre të përgatitur profesionalisht në bazë të standardeve ndërkombëtare e kanë punësimin të sigurt jo vetëm në Kosovë, por edhe në BE. “Tetë fabrika me po aq profile, janë një mundësi e shkëlqyer për të nxënë dijen profesionale, për tu bërë ekspertë dhe punësuar, dhe këto kushte e teknologji të lartë rrallë pak shtete i kanë”, tha kryetari i AKB-së.

Agim Shahini, shtoi se AKB-ja ka bërë hulumtime të tregut të punës dhe tash kjo qendër ka profesione të shkëlqyera të cilat ne i kemi identifikuar dhe kjo ishte arsyeja e vizitës në shkollë e cila duhet të bëhet më tërheqëse edhe për nxënësit e gjithë Kosovës.

Bashkim Hyseni, drejtor i Qendrës së Kompetencës në Ferizaj, tregoi se shkolla ka rreth 500 nxënës që arsimohen e aftësohen profesionalisht në tetë profile.

Ai tregoi se janë bërë investime të shumta nga Qeveria e Luksemburgut dhe nga qendra ofron shërbime dhe produkte.

“Qendra ballafaqohet edhe më disa vështirësi, sidomos mungesa e kompanive nga lëmenjë të profileve që ofrojnë dhe në anën tjetër kanë vështirësi edhe në gjetjen e kuadrit, por dhe në punësime, derisa kanë pajisjet më të sofistikuara”, tha Bashkim Hyseni.

Drejtori i Qendrës së Kompetencës, shtoi se derisa në vend ka mungesë punësimi, kuadri e kompanive të këtyre profileve, në anën tjetër nga jashtë ka interesime për punësimin e nxënësve dhe marrjen e shërbimeve e produkteve.

“Ne jemi në një rrugëtim sfidues, por shumë të artë për aftësimin profesional të gjeneratave të reja në zhvillimin e shkollës dhe ngritjes ekonomike”, tha Hyseni. /Telegrafi/