LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti ndërton terminal për VIP-a dhe delegacione qeveritare

Aeroporti ndërton terminal për VIP-a dhe delegacione qeveritare

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) do të zgjerohet duke ndërtuar një terminal për VIP dhe delegacione qeveritare në një hapësire prej gati 500 metra katrorë. Ky vendim i propozuar nga menaxhmenti i ANP-së u miratua në mbledhjen e parë të bordit të ri të kësaj kompanie.

“Vendimi për ndërtimin e terminalit- anex për VIP është marrë duke patur parasysh se aktualisht në ANP ka një sipërfaqe prej vetëm 40 metrave katrorë për VIP dhe kjo sipërfaqe nuk plotëson as për së afërmi nevojat e atyre që udhëtojnë përmes aeroportit” , thuhet në njoftimin zyrtar të ANP-së.

Bazuar në këtë njoftim, aeroporti ka përgatitur tashmë projektin ideor për ndërtimin e një terminali për trajtimin e VIP-ve, ku të gjitha personalitetet me rëndësi do të trajtohen me shërbime cilësore, ashtu si është e nevojshme të trajtohen delegacionet shtetërore diplomatike, etj.

“Terminali i ri për këto delegacione do të këtë 470 metra katrorë dhe në kuadër të kësaj do të jenë dy salla për VIP-a,dy salla mbledhjesh, një sallë konferencash, bufe, ndërsa delegacionet do të mund ta bëjnë aty edhe chekingun dhe kontrollin e pashaportave x-ray”.


Një vendim tjetër në mbledhjen e parë të bordit të ri ishte edhe fillimi i zbatimit të Ligjit për Aviacion Civil.

“Ekspertët e Komisionit Evropian kanë rekomanduar që të merret në konsideratë ndarja e Shërbimit të Kontrollit të Trafikut Ajror (SHKTA) ,nga pjesa tjetër e aeroportit. Si hap të parë për të lëvizur në këtë drejtim, divizioni i Mirëmbajtjes dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të SHKTA-së është larguar nga ky divizion dhe ka kaluar direkt nën menaxhimin e Drejtorit Menaxhues. Ndërsa pjesa tjetër e SHKTA-së me shërbimet do të quhet Ofruesi i Shërbimeve të Navigimit Ajror dhe do të mbetet në cilësinë e Divizionit”.

Në njoftimin e ANP-së thuhet se kjo korporatë konfirmon angazhimin dhe respektimin e Ligjit mbi Aviacionin Civil në Kosovë dhe nevojën për ndryshime strukturore të mëvonshme siç parashihet në këtë ligji. /Telegrafi/