LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti mund të mbyllet, punëtorët e Kullës nuk përjashtojnë grevat

Aeroporti mund të mbyllet, punëtorët e Kullës nuk përjashtojnë grevat

147 punëtorë të Kontrollit Ajror, si ofrues i shërbimeve të navigimit ajror, ende nuk kanë marrë pagat e tyre të muajit mars, për shkak të bllokimit të llogarive bankare të Kontrollit Ajror. Gjithçka ka të bëjë me shpronësimin, por punëtorët paralajmërojnë veprime e nuk përjashtojnë as mundësin e grevës.

Ky problem është trashëguar që shumë vite, por tanimë janë bllokuar llogaritë bankare përmes përmbaruesit. Për KosovaPress, kryetari i Shoqatës sindikale të Kontrollit Ajror, Kujtim Demiri, thotë se duke u bazuar në rregullat, deri më datë 5 prill duhet të presin pagat.

Meqë kjo datë bie e diel dhe e hëna është festë, Demiri thotë se të martën do dalin me qëndrime publike.


“Do të fillojmë me masa sindikale që i lejon Ligji; do japim edhe ultimatum. E, nëse nuk veprohet, nuk përjashtojmë grevën”, thotë ai.

Nëse kjo ndodh, sipas tij, kjo nënkupton mbylljen e Aeroportit të Prishtinës.

Gjithçka ka filluar kur ANP Adem Jashari në vitin 2003 ka shpronësuar 217 hektarë tokë nga Komuna e Fushë Kosovës dhe ajo e Lypjanit, kurse deri me rastin e koncesionimit është paguar shumica e tokave të shpronësuara.

Në vitin 2011, në prill, është bërë koncesionimi i shërbimeve terminale të Aeroportit, kurse trashëgues – si ndërmarrje publike nga kjo kohë – është Kontrolli Ajror. Me marrëveshje të Partneritetit Publiko-Privat, Kontrolli Ajror ka trashëguar të gjitha kontestet gjyqësore të rasteve të parakoncesionimit, duke përfshirë këtu edhe kompensimin e tokave të shpronësuara.

Zëdhënësi i Kontrollit ajror, Driton Ujkani, për KosovaPress bën të ditur se buxheti i Kontrollit është shumë i vogël, pasi që operojnë vetëm me hapësirën e ulët ajrore dhe jo edhe me hapësirën e lartë ajrore, ku siç dihet, kjo e fundit i është dhënë Hungarokontrolles.

Ai thotë se menaxhmenti i Kontrollit Ajrore vazhdimisht, që nga koncesionimi, ka bërë kërkesë në institucionet përkatëse, përkatësisht tek Qeveria e Republikës së Kosovës, që të krijohet një fond për shpronësimin e këtyre tokave në mënyrë që mos të vijë deri tek bllokimi i llogarive bankare nga gjykatat, ku janë dërguar mbi dhjetë kërkesa dhe njoftime për gjendjen financiare të kompanisë.

Ujkani thekson se ende nuk ka pasë ndonjë veprim nga ana e Qeverisë, edhe tani kur janë mbyllur llogaritë bankare, që nënkupton pamundësimin e ofrimit të shërbimeve nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë për mbështetje financiare.

“Vlen të theksohet se me rastin e koncesionimit, Kontrolli Ajror ka trashëguar rreth 40 hektarë tokë të pakompensuar, ku prej tyre deri më tani janë paguar rreth 15 hektarë në vlerë prej rreth 1.5 milion euro të gjitha me vendim gjyqësor, ndërsa kanë mbetur pa u kompensuar edhe rreth 25 hektarë në vlerë prej rreth 3.5 milionë euro (prej tyre rreth 1.2 milion euro janë vendime përfundimtare të gjykatave me procedurë përmbarimore, ku deri në pagesën e tyre nuk do të zhbllokohen llogaritë bankare)”, thotë ai. /KP/