LAJMI I FUNDIT:

Adiafora

Adiafora

Për këdo që ka luajtur në bastore sportive të një derbi mes X dhe Y klubi futbolli – p.sh në liga e kampionëve – është e qartë se do të ketë shumë rëndësi se cili nga klubet do të ftojë apo humbas. Kjo s`ka nevojë për shpjegim. Për më tepër, mund të themi se edhe vet jeta është një lloj basti. Ne përherë zgjedhim mes alternativave të ndryshme dhe përcaktohemi për njërën prej tyre.

Duke e abstraktuar shkakun se pse bëjmë këtë apo atë zgjedhje, themi se ne përcaktohemi për ato alternativa të cilat kanë një rëndësi prioritare për ne. Qoftë ky edhe një bast i cili eventualisht do të na e sjell ndonjë euro.


Natyrisht, basti i futbollit është vetëm një rast specifik, bile banal i prezantimit të zgjedhjeve tona që bëjmë në jetë. Le ta shfrytëzojmë këtë sport si shkas për nënvizuar qëllimin e këtij shkrimi, përderisa te ky sport fatmirësisht diversiteti i preferencave tona është akomoduar, kjo për të shmangur çfarëdo disonance emocionale.

Pra, le të e paramendojmë se kemi të bëjmë më një ndeshje futbolli ku luajnë dy ekipe krejt të pa rëndësishme. Natyrisht se nuk do të na interesojë fare rezultati, ose do të na interesojë fare pak se kush do të fitojë. Në rastet kur jemi në një situatë kur për ne nuk na ka rëndësi cilado nga alternativat që mund të vijnë në shprehje, atëherë kemi të bëjmë me atë që në filozofi njihet adioafora. Në të kuptuarit popullor kjo shprehet e fjalët “u bo çka u bo” apo” apo “hë andej, hë këndej”. Pra, cila do nga zgjidhjet që na ofrohen nuk ka asnjë rëndësi.

Adiofaora si term e ka origjinën nga filozofia cinike. Sado që kjo filozofi identifikohet me një rrymim filozofik i cili e kishte relativizuar edhe vet famën e Aleksandrit të Madh, kur ky i fundit iu kishte drejtuar Diogjenit me pyetjen se çfarë do të mundë të bënte ai për të, ai me mendjemadhësi – e cila ishte ekuivalent i famës së Aleksandrit – iu kishte përgjigjur se “ju vetëm ju mundë të ma lëshoni dritën e Diellin”. Kjo d.m.th se s`ka rëndësi fare se kush je dhe çka je.

Pra, me gjithë faktin se definitivisht ky ishte një cinizëm i cili megjithatë nuk mundë të justifikohet si botëkuptim i pranueshëm, megjithatë në të njëjtën ka diçka të dinjitetshme. Ajo është pavarshmëria morale e njeriut, e cila edhe si cinike, gjë që nominalisht asocion me atë që quhet inat qeni, pra një sinonim i jetës plotësisht jokonvencionale me rregullat e etabluara sociale, mundë të justifikohet.

Një shtresim e mëtejmë i justifikimit të cinizmit, patjetër që vë në pah se liria individuale është mbi të gjitha dhe ajo si e tillë duhet të respektohet, pasi që është vlera më e lartë njerëzore. Pavarshmëria dhe autonomia morale mund të realizohet qoftë edhe duke qenë përballë një njeriu të famshëm sikurse Aleksandri i Madh.

Përderisa nuk jetojmë në një botë ideale, aq më pak si shqiptarë, më konkretisht shqiptarë të Kosovës, konsideroj se edhe duke u gjetur në një situatë shumë të vështirë, së paku më të vështirën në truallin evropian, përcaktimi për të zgjedhur lidhur me shumëçka duhet të jetë rezultat i pavarshmërisë morale. Në këtë rast asaj grupore. Domosdoshmërisht!

Mund të merret me mend se çka e cenon dinjitetin dhe lirinë edhe ashtu mjaftë të cenuar grupore te shqiptarët. Posaçërisht në politikë.

Me gjithë faktin se në terma afatshkurtër kjo merr forma dhe ilustrime iluzore të cilat përpihen disi me zor, gjithsesi se në terma afatgjatë kjo nuk ngjanë pasi që nervi i vetërespektit rritet, ndërsa mundësia e justifikimit jo përmbajtjesor zvogëlohet.

Andaj konsideroj se janë dy koordinata që e përcaktojnë dinjitetin grupor të shqiptarëve para çfarëdo alternative, edhe asaj politike.

Atdheu si koncept dhe liria si modus. Posaçërisht liria ekonomike.

Nuk dua ta justifikoj filozofinë cinike si alternativën e duhur aq më pak si gjithëpërfshirëse e cila do të ishte eventualisht adekuate për një botëkuptim të duhur shoqëror, por gjithsesi nuk mund të mos e theksoj justifikimin e realizimit të lirisë njerëzore dhe pavarshmërisë së ballafaqimit, në çfarëdo situate dhe me çfarëdo autoriteti. Mu ashtu sikurse Diogjeni.

Gjithçka tjetër mbetet Adiafora.