LAJMI I FUNDIT:

“Ad`hokracia” e qeverisjes aktuale, rrezikon Kosovën

Katastrofat natyrore në Haiti e (më pak) në Shqipëri patën një përgjigje të lavdërueshme solidariteti. Komunitetet u mobilizuan, individët iu gjendën pranë të pastrehëve në nevojë, empatia njerëzore u shfaq në momentin e saj kulmor.

Përpos kësaj, ngjarjet kanë ngjashmëri dhe dallime specifike: në rastin e Haitit gjëma ishte tërësisht natyrore, kurse në rastin e Shqipërisë pamë një miks të të dyjave – tërbimit të natyrës dhe paaftësisë parashikuese dhe korrigjuese të faktorit njeri. Nga ana tjetër, përgjigja ndaj rasteve ndryshon në sasi dhe cilësi. Në sasi, sepse numri i viktimave në Haiti ishte pakrahasueshmërisht më i madh se ai i dëmeve materiale të shkaktuara në veri-perëndim të Shqipërisë. Në cilësi, sepse përgjigja ndaj tërmeteve ndryshon nga ajo ndaj përmbytjeve apo llojeve të tjera të fatkeqësive natyrore.


Mirëpo të dyja rastet duhet të na bëjnë të reflektojmë lidhur me skenarë të ngjashëm në Kosovë, meqë emëruesi i përbashkët i këtyre dy llojeve të emergjencave nxorri në pah dobësinë e strukturave publike në vendet përkatëse, çka është ‘sëmundje’ që e e ndajmë edhe ne në Kosovë.

Shtete të konsoliduar kanë një reagim shumë më harmonik, koherent dhe efektiv ndaj krizave si ajo që dëshmuan këtij fillim viti.

Duke dashur t’ua lë specialistëve vlerësimin për vështirësitë që ka Kosova për një akses të shpejtë në marrjen dhe dhënien e ndihmës – si kapacitetet e kufizuara të aeroportit të Prishtinës, jo-funksionaliteti i autostradës me Shqipërinë, komunikimi i ndërprerë me Serbinë që na bën të varemi në një masë të madhe nga dashamirësia dhe operacionaliteti i Maqedonisë – dëshiroj të tërheq vëmendjen në aftësinë tonë shtetërore për të performuar në atë që është funksioni themeltar i një shteti: mbrojtja e jetës, pronës dhe dinjitetit të qytetarëve.

Zoti mos dhëntë që të ballafaqohemi me situata ekstreme të ‘zemërimit’ të natyrës. Sepse në një rast hipotetik, nuk jam në gjendje të mendoj asnjë skenar optimist.

Shqetësimin tim e bazoj në mënyrën se si funksionojnë strukturat publike te ne: me forca të sigurisë në ndërtim dhe ende të pa-testuara, me një buxhet të mjerë që zor se do të përballonte vështirësitë shtesë, me një sistem të shëndetësisë që tremb edhe më të shëndetshmit dhe, mbi të gjitha, me atë që mund ta quajmë, pa frikën se po tregohemi të ashpër, ‘adhocracy’ – në kuptimin më pezhorativ të kësaj fjale.

Besoj është e qartë: çdokush që sheh një mbledhje të inskenuar të Qeverisë, vëren me sy të lirë improvizimet, vendimet e marra ad-hoc, sot për sot, tani për tani. Prioritetet janë të pakuptueshme dhe bizarre në mënyrën si formulohen. Psh, shpallet prioritet integrimi në Bashkimin Evropian ndërkohë që dihet fare mirë se ky është një proces afatgjatë që vetëm pjesërisht kontrollohet nga vendorët pasi bëhet fjalë për një marrëdhënie dypalëshe për të cilën kërkohet pëlqimi i Brukselit. Në vend të kësaj do prisnim të trajtohej si prioritet nga Qeveria ulja e papunësisë, rritja e prodhimit dhe eksporteve, luftimi i korrupsionit, dërrmimi i aktiviteteve kriminale, etj.etj, pra cdo masë që e bën një vend të veprojë e performojë sipas standardeve evropiane!

Është për të ardhur keq që institucionet e Kosovë nuk kanë arritur ende të kalojnë në një stad më të avancuar që do t’i shkëpuste nga nocioni ‘ad-interim’, i përkohshëm, i cili i ka shoqëruar prej ’99-ës. Eshtë mëkat që nga gjendja ‘ad-interim’, në sajë të kësaj qeverisjeje amatore, kaluam në gjendjen ‘ad-hoc’, ku vendimet merren restoranteve e kafeneve dhe përhapen me sms! Klasa politike që ka marrë besimin e qytetarëve ta drejtojë këtë vend duhet të jetë më e vëmendshme, më e kujdesshme, më serioze e më profesionale në mënyrën si i trajton punët e shtetit. Kosova nuk meriton të jetë një kënd lojërash i politikanëve të babëzitur. Qytetarët tanë meritojnë më shumë!