LAJMI I FUNDIT:

A ishte shoqëria civile në offside?

Në lojën e futbollit, kur ekipi sulmues gjendet në offside, topin e merr ekipi kundërshtar. Edhe në praktikën e fushatave publike, si është kjo që po zhvillohet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, për një moment duket se shoqëria civile e madje edhe EULEX-i u gjenden në këtë pozitë, jashtë loje, sepse nga vrulli i madh kishin harruar të përcjellin lëvizjet e palës tjetër e cila po e dëshmonte se është po aq e organizuar dhe ka një ndikim të fuqishëm në media.

Krijimi i psikozës për fajësinë e personaliteteve të caktuara publike (qeveritare) doli si duket nga kontrolli dhe mori përmasat e një fushate politike. Diçka që, sipas të gjitha gjasave ishte menduar të jetë një fushatë mediale dhe publike për të krijuar përkrahjen në luftën e EULEX-it kundër krimit të organizuar, edhe në nivele qeveritare, u shndërrua në një qërim hesapesh, inatesh personale dhe filluan të prejudikohen publikisht fajet dhe të shpallen fajtorët para se gjykatat kompetente të merrnin ndonjë vendim për këtë.


Reagimi i ambasadorit të një vendi mik

Nuk është praktikë që ambasadorët e një vendi, sado i fuqishëm apo mik të jetë ai, të ndërhyjnë aq haptas dhe të prononcohen publikisht për t’i dhënë drejtimin vendimtar një procesi, në vendin ku janë akredituar. Së paku jo, në vendet ku ka një qeveri stabile, ku pushteti i zgjedhur gëzon autoritet, e kontrollon territorin e vet dhe ka përkrahjen morale të shumicës së qytetarëve.

Këtë vit, në periudhën e legjitimitetit dhe autoritetit të luhatur të drejtuesve të institucioneve dhe kur koalicioni po luhatej deri në paralajmërime për shkëputje, u vunë në lëvizje edhe struktura joformale, të orientuara pro dhe kundër qeverisë, të cilat filluan të përzihen drejtpërdrejtë në proceset shoqërore dhe gati e sollën vendin buzë greminës së një lufte të re qytetare, një rebelimi i cili do të tejkalonte përmasat e 2004.

Strukturat e krimit vendor u ndien shumë të rrezikuara, dhe potenciali shpërthyes i tyre u shpalos si zinxhir dominosh edhe jashtë kufijve të vendit, me tendencë për nxitjen e konflikteve ndëretnike dhe ndër-religjioze duke u bashkuar kështu në interesa me krijuesit e tjerë të krizave në Ballkan.

Në këtë kohë, dhe besoj se, për të parandaluar rreziqet evidente, ndërhyri ambasadori i një vendi të madh mik, me dy deklarata, të cilat u pritën “mirë” nga qeveritarët, por të cilat deklarata, për bindjen time u keqkuptuan nga një pjesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile. Këto dy deklarata duken të ndara, por në esencë paraqesin një subjekt.

Këto deklarata të ambasadorit nga vendi mik, duket se synonin me e ulë topin në tokë , dhe me zhvesh lojën e papastër, duke insistuar të vazhdohet me proces të ligjshëm dhe seriozitet, e jo me fushata e linçime personalitetesh.

Arbitri mes nesh

Nëse dikush dyshon në prirjen tonë kolektive për konfrontime dhe për acarime të skajshme, që vijnë si rezultat i mungesës së kulturës demokratike , dhe si mbizotërim i interesave të vogla mëhallësh, klanesh apo lokalitetesh, fatkeqësisht ka mjaft argumente për të hequr këto dyshime.

Nëse dikush dyshon ende në prirjen tonë për konfrontime të brendshme të cilat nuk kanë fund as zgjidhje racionale, le të marrë shembull zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni dhe së fundi përvojën e luftës permanente mes grupeve dhe klaneve të ndryshme politike, të interesit etj. në Kosovën e pasluftës.

Në fakt, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë është aktualisht prezente në rolin e mbrojtjes së institucioneve të brishta kosovare, dhe kufijve të vendit, por edhe në rolin e arbitrit në konfrontimet eventuale të brendshme.

Segmente të caktuara të kësaj prezence kanë kompetenca serioze ligjore të cilat pritet që ti zbatojnë me seriozitetin dhe vendosmërinë e nevojshme.

Prezenca ndërkombëtare këtu , padyshim se i kushton shumë buxhetit të këtyre vendeve nga vijnë dhe ata synojnë që sa më parë të zvogëlojnë prezencën e tyre këtu.

Gjithsesi, kjo edhe do të ndodhë, pasi të kenë ndihmuar të ndërtohet një shoqëri dhe institucione demokratike, e sidomos një kulturë qytetare dhe institucionale e shoqëruar me relacione ndëretnike dhe fetare të qëndrueshme.

Deklaratat e ambasadorit

Nga ky keqkuptim (i këtyre deklaratave) te një pjesë e shoqërisë civile dhe qytetarëve, sikur u formësua ndjenja se qeveria amerikane të cilën z. ambasador e përfaqëson, po e linte në baltë shoqërinë civile në përpjekjen e saj të vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për të cilat pohohet se kanë përfshirë edhe institucionet dhe ndërmarrjet publike .

Në fakt, nëse lexohen me vëmendje, nuk jepet përshtypja se është fjala për një deklaratë të shpejtuar, sepse asnjë segment nga deklaratat nuk qon në këtë përfundim. Përkundrazi, duket që deklaratat të jenë menduar mirë dhe të kenë synuar efektin që e besohet se arritën.

Me ndërhyrjen e z. Ambasador, për mendimin tim u arritën disa rezultate të rëndësishme:

1) U ndalu vrulli dhe performansa teatrale e policëve dhe zyrtarëve të EULEK-it në teatrin politik kosovar, duke i rikthyer ata në përfaqësues serioz të ligjit të cilët demonstrojnë disiplinë dhe vendosmëri për të vepruar, me efikasitet dhe pa pompë mediale … kudo dhe kurdo që kërkohet.

2) Parandaluan vrullin e një procesi hakmarrjeje dhe hyrjeje në anarki nga ana e grupeve të caktuara politike dhe të interesit të cilat nuk dukej se ofronin diçka tjetër përpos një logjistike të nevojshme për ndërrimin e qeverisë.

3) Parandaluan tendencat e grupeve nën kontroll të pushtetit, që të destabilizojnë vendin, me tendencë përhapjeje në regjion.

Duke u angazhuar për një luftim të krimit përmes rrugës ligjore dhe institucionale, pa fushata e linçime të individëve, ambasadori amerikan ndikoi pozitivisht që procesi të mos dali nga kontrolli, që krejt kjo të mos dali në terrenin, ku krimi i organizuar dhe bandat ndihen si peshku në ujë, e kjo është anarkia dhe lufta qytetare.

Në fakt, kjo anarki do të tërhiqte vëmendjen krejt në tjetër drejtim.

Në deklaratat e z. ambasador nuk shihet ndonjë paragjykim për fajësinë apo pafajësinë e qeveritarëve konkret, as mbrojtje e personaliteteve të apostrofuara nga EULEX-i. Përkundrazi!

Ashtu si e kam lexuar unë këtë deklarim, ai kërkon që të gjykohen veprimet e paligjshme, pasi të jenë konstatuar ato dhe të ruhet dinjiteti i njerëzve dhe familjarëve të tyre.

Ne angazhimin e tij për luftimin e krimit , z .ambasador, identifikon pronën publike dhe fuqinë ekonomike të koncentruar në duart e shtetit si burimin më serioz të korrupsionit dhe angazhohet për privatizimin e pronës publike si të vetmen zgjidhje reale për të shterur këto burime.

Shoqëria civile do të duhej të shihte një mësim të mirë për rrugën qe duhet ndjekur në angazhimin e sajë kundër tendencave të vendosjes së një kontrolli të plotë dhe autoritar të qeverisë mbi pronën publike dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi.

Kushdo që e njeh logjikën e një procesi gjyqësor e di se prokurori paraqet akuzat, avokatët paraqesin mbrojtjen ndërkaq gjykata merr vendim të pa anshëm të bazuar në ligj.

Pra, jo në bazë të kërkesave të qeverisë, opozitës apo kujtdo qoftë tjetër jashtë institucionit të gjykatës dhe jashtë normës së ligjit.

Aty ku prokurori luan rolin edhe të gjykatësit, nuk flitet më për demokraci por për diktaturë , e kujtdo qoftë ajo.

Pse nuk duhet të lejohet linçimi publik?

Për bindjen time , nëse lejohet të linçohet cilido personalitet publik, apo kushdo qoftë tjetër, kjo nuk dëshmon kurrfarë legjitimiteti të fushatës.

Përkundrazi, akuzimet publike dhe deklaratat pompoze, shpallja fajtorë pa ia dokumentuar fajin, përmes një fushate diskredituese, kjo i krijon kushtet që edhe nesër pas ndërrimit eventual të qeverisë, të vazhdohet me logjikë të njëjtë veç me lojtarë tjerë.

Edhe nëse ndërrohet (apo burgoset) një ministër, apo zyrtar i lartë qeverie, me krejt farefisin e tij të vendosur në pika kyçe të pushtetit politik dhe ekonomik, dhe zëvendësohet me një ministër tjetër që ka një farefis po aq të gjerë dhe po aq të pangopur, kjo nuk zgjidh asnjë problem , vetëm se e korrupton pozitën, opozitën madje e korrupton edhe vetëdijen qytetare për domosdonë e mbisundimit të ligjit.

Me këtë krejt lufta politike merr dimension të një lufte të zhveshur për pushtet, për të përfituar nga pushteti e jo për të qenë në shërbim të qytetarëve.

Pa një zhvillim ekonomik, pa një dominim të pronës private, pa deligjitimimin e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi në përmasa korruptive si është gjendja te ne, nuk do të ketë sukses asnjë linçim apo fushatë ҫfardo qoftë dhe e kujtdo qoftë. Përkundrazi, vetëm se do të zëvendësohen pushtetarët e sotëm me disa të tjerë, të cilët pas një kohe, për shkak të logjikës sistemore, do të veprojnë pak a shumë njësoj.

Akuzat duhen të dokumentohen, ose të hidhen poshtë!

Definitivisht, Kosova është në udhëkryq dhe përpos problemeve të zakonshme të tranzicionit të cilat gati në të gjitha vendet ish-socialiste ishin të dhimbshme, ajo po ballafaqohet edhe me problemet e shtet-ndërtimit dhe të ndërtimit të një identiteti të qëndrueshëm qytetarë dhe evropian.

Por zaret janë hedhur tashmë.

Bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar në Kosovë, sidomos me miqtë e këtij vendi nga koalicioni çlirimtar i NATO-s, SHBA dhe BE, të cilët me mbështetjen e tyre ndaj popullit të këtij vendi u përcaktuan për lirinë, demokratizimin dhe zhvillimin e shpejtuar të jetës tonë është domosdoshmëri , sepse përpos kësaj ata na ndihmojnë të ruajmë masën dhe arsyen në veprimet qoftë qytetare qoftë qeveritare.

Se ҫfar drejtimi do të marrin proceset varet shumë edhe prej urtisë politike të subjekteve politike që qëndrojnë prapa qeverisë, dhe potencialit demokratik brenda tyre.

Por, shumҫka varet edhe prej opozitës e cila po e synon pushtetin, me një padurim të theksuar. A do të ketë ajo durim për ndërrime esenciale, apo është e interesuar vetëm për ndërrimin e qeverisë ?

Dyshimet për krime ,të hedhura në opinion , nga zyrtarë të EULEX-it, janë aq serioze sa kushdo që do të pengonte zbardhjen e tyre, përmes rrugës institucionale, do të gjendej papritmas në një shtrat me krimin.

EULEX-i duhet të ofrojë një shembull se si duhet të zhvillohet një aktivitet ligjor kundër krimit, veçanërisht ndaj krimit të organizuar, duke punuar në heshtje gjatë procesit të hetimeve dhe duke qenë dokumentues, transparent dhe konsekuent në proceset eventuale të gjykimit.

Së paku publikisht të gjithë e përkrahin luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe EULEX – tashmë ka marrë edhe mandat moral që të zhvilloi procesin e shumëkërkuar nga shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës, dhe se veprimet e kësaj strukture duhet të jenë të bazuara në ligj dhe të ndërmarra pas një procesi serioz të dokumentimit.

Në trend

Më shumë
​Mbushet stadiumi në Greqi me shqiptarë, Rama: Jeni bota

​Mbushet stadiumi në Greqi me shqiptarë, Rama: Jeni bota

Lajme
Një grusht brutal dhe ai nuk mund të ngitej në këmbë, ish-portieri i Chelseat pëson humbje të rëndë në MMA

Një grusht brutal dhe ai nuk mund të ngitej në këmbë, ish-portieri i Chelseat pëson humbje të rëndë në MMA

Sportet Luftarake
Barcelona e sakrifikon yllin e skuadrës për të nënshkruar me Nico Williamsin

Barcelona e sakrifikon yllin e skuadrës për të nënshkruar me Nico Williamsin

La Liga
“Paguhen duke qëndruar në shtëpi” - Drejtoria e Arsimit në Graçanicë keqpërdor mbi një milion euro në vit për pagat e 250 punëtorëve

“Paguhen duke qëndruar në shtëpi” - Drejtoria e Arsimit në Graçanicë keqpërdor mbi një milion euro në vit për pagat e 250 punëtorëve

Jehona Hulaj
Nuk u lejua të futej në lojë për dy minuta, Messi gjen një kamerë anësore dhe shpërthen ndaj MLS-së

Nuk u lejua të futej në lojë për dy minuta, Messi gjen një kamerë anësore dhe shpërthen ndaj MLS-së

Ndërkombëtare
Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

La Liga
Kalo në kategori