LAJMI I FUNDIT:

BB dhe donatorët e tjerë mbështesin me 60 milionë euro Kosovën

BB dhe donatorët e tjerë mbështesin me 60 milionë euro Kosovën

Banka botërore dhe 9 donatorë ndërkombëtarë do ta mbështesin Buxhetin e Kosovës me një fond prej 60 milionë eurosh gjatë tri viteve të ardhshme. Përmes këtij fondi synohet krijimi i punësimit të qëndrueshëm, thanë zyrtarë të Bankës Botërore, në një seminar në Prishtinë.

Buxheti i Kosovës do të përfitojë mbështetje të drejtpërdrejt prej 60 milionë eurosh nga Banka botërore dhe donatorët gjatë viteve 2009-2011, për përkrahje të politikave të punësimit.

Zyrtarja e bankës botërore, Anita Shvarc, tha se kjo është ndihma e parë për Buxhetin e Kosovës, që do të dedikohet për prioritetet e Qeverisë së Kosovë. Sipas saj qeveria duhet të plotësojë disa kushte për të përfituar këto mjete.

Qeveria duhet të arrijë pajtueshmëri me bankën botërore dhe komunitetin e donatorëve për të ndërmarrë aksione konkrete, dhe ta përmbushë pjesën e strategjisë zhvillimore. Pas kompletimit të këtyre aksioneve nga qeveria dhe evidentimit nga BB-ja, paratë do t’i kalojnë qeverisë", tha Shvarc.


Ndërsa zv.kryeministri Hajredin Kuçi tha se kjo mbështetja buxhetore nga donatorët për Kosovën është shumë e rëndësishme pasi mjetet shkojnë drejtpërdrejt në Buxhetin e Kosovës, dhe lidhen me politikat zhvillimore të qeverisë.

Ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet Kosova është shkalla e lartë e papunësisë, që vlerësohet ndër më të lartat në Evropë.

Kuqi tha se krijimi i punësimit të qëndrueshëm është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës dhe zhvillimin e një mjedisi stabil shoqëror.

"Qeveria është e përkushtuar që të ketë një qasje ndërsektoriale dhe ndërministrore për të shqyrtuar të gjitha çështjet që shkojnë në punësim dhe hartimin e strategjive koherente dhe gjithpërfshirëse", tha ai. /rtk/