LAJMI I FUNDIT:

Telekom Sllovenia dëshiron ta blejë Cosmofon-in

Telekom Sllovenia dëshiron ta blejë Cosmofon-in

Telekomi slloven, lajmëroi se dëshiron ta blejë operatorin e dytë për telefoni celulare në Maqedoni - Cosmofon.

Tani jemi të përqendruar në shitjen e paralajmëruar të operatorit të dytë celular në Maqedoni, bëhet e ditur në kumtesën e sotme të Telekom Sllovenia.

Cosmofon, i cili është në pronësi të OTE-s greke, pritet të shitet në shkurt ose mars për shkak të mbrojtjes së konkurrencës, pasi Deutsche Telekom bleu 25 për qind të OTE-s, tha zëdhënësja e Telekom-it slloven, Darinka Pavliç Kamien.

Telekomi slloven negocion me bankat për sigurimin e 400 milionë eurove hua sindikale për blerjet e planifikuara në rajonin e ish-Jugosllavisë.


Telekom Sllovenia, krahas Cosmofon-it, është e interesuar edhe për blerjen e telekom operatorit më të madh boshnjak BH Telekom dhe kërkon mundësi për investim edhe në Kroaci.

Ndryshe Telekom Sllovenia në konsorcium me IKPO-n para një viti kishte fituar tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile edhe në Kosovë. Licensa për operator të dytë në vend ishte nënshkruar në vlerë prej 75 milionë eurosh, e po ashtu ishte premtuar investimi prej 50 milionë tjera në fushen e telekomit.

Telekom Sllovenia është operatori më i madh fiks, celular dhe i internetit në Slloveni, me kapitalizim të tregut prej 951,4 milionë eurove. /Makfaks-Telegrafi/