LAJMI I FUNDIT:

Irani kërkon sërish ulje të prodhimit të naftës

Irani kërkon sërish ulje të prodhimit të naftës

Përfaqësuesi i Iranit në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEK), Mohammad Ali Khatibi, e vlerësoi "të nevojshme" një ulje tjetër të prodhimit të kartelit për të penguar rënien e çmimit, në një intervistë për të përditshmen "Ressalat" të botuar sot.

"Gjatë takimit të tetorit, OPEK-u ka vendosur një ulje prej 1,5 milionë fuçish në ditë, por kjo nuk mjaftoi për të penguar rënien e çmimit. Si rrjedhojë, duket se një ulje tjetër e prodhimit është e nevojshme", deklaroi Khatibi.

Tregu po pret vendimin e OPEK-ut që do të mblidhet të shtunën më 29 nëntor në Kajro, e më pas më 17 dhjetor në Oran, Algjeri.

Sot në mëngjes, kursi i naftës bruto ishte në rritje në shkëmbimet elektronike në Azi, mesa duket tregu po i paraprin një vendimi për uljen e prodhimit gjatë takimit të Kajros.


Në shkëmbimet e sotme, çmimi i fuçisë së "light sweet crude" për livrim në janar ishte me 63 cent më shumë, duke shkuar në 50,56 dollarë për fuçi.