LAJMI I FUNDIT:

Komuniteti i biznesit kundërshton fuqishëm planin e Ban Ki Munit

Komuniteti i biznesit kundërshton fuqishëm planin e Ban Ki Munit

Edhe komuniteti i biznesit kundërshton fuqishëm planin gjashtë-pikësh të Ban Ki Munit, duke vlerësuar se ky plan e dëmton Kosovën edhe në aspektin ekonomik. Kështu u tha gjatë një debati të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike, Besim Beqaj tha se implementimi i atij plani rritë praninë e Serbisë në Kosovë, dëmton imazhin e Kosovës jashtë vendit, si dhe dekurajon investitorët potencialë.

Përveç ndarjes territoriale, administrative e juridike, plani gjashtëpikësh i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ndanë Kosovën edhe ekonomikisht, dhe si i tillë ndikon në fuqizimin e informalitetit, konkurrencës jolojale, korrupsionit dhe evazionit fiskal. Kështu tha drejtuesi i Odës ekonomike, Besim Beqaj, duke kundërshtuar këtë plan edhe në emër të komunitetit të biznesit. Ai tha se ka shumë arsye për mospranim të këtij plani sa i përket aspektit ekonomik.

Beqaj tha se që nga shpallja e pavarësisë, nga mosfunksionimi i pikave kufitare në veri, është shtuar krimi i organizuar, kontrabanda dhe evazioni fiskal. Kurse përmes implementimit të këtij plani, do të krijohet hapësirë e përshtatshme për zhvillim të këtyre dukurive, e nga ana tjetër humbjet për bizneset dhe buxhetin e Kosovës do të jenë të shumëfishta.

Beqaj tha se nga moskontrollimi i pikave kufitare në veri kanë përfituar individë të ndryshëm, por jo komuniteti i biznesit. Ai theksoi se zgjidhja e propozuar nga Oda Ekonomike qysh në qershor ka qenë që të vihet kontroll në këto pika, ose të mbyllen.


Plani i Ban Ki Munit duhet të kundërshtohet edhe për faktin se pengon kyçjen e Kosovës në infrastrukturën rrugore rajonale e ndërkombëtare, rritë praninë e Serbisë në Kosovë, dëmton imazhin e Kosovës jashtë dhe dekurajon investitorët, si dhe pengon anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe institucione tjera, u tha në këtë takim. /rtk/