LAJMI I FUNDIT:

8 milion euro të tjera nga privatizimi i ndërmarrjeve

8 milion euro të tjera nga privatizimi i ndërmarrjeve

Këto para i shtohen fondit prej gati 400 milion eurove që janë siguruar prej privatizimit, të cilat qëndrojnë të ngrira në fondin e mirëbesimit prej disa vitesh.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në ceremoninë e hapjes së ofertave të valës 31 të privatizimit, shpalli ofertuesit e përkohshëm fitues të Ndërmarrjeve të Reja të shitura përmes Spinofit të rregullt.

Gjithsej 9 Ndërmarrje të Reja ishin në dispozicion për shitje. Të gjitha këto Ndërmarrje të Reja ishin në shitje përmes Spinofit të rregullt. Janë pranuar 84 oferta. 2 ofertues janë diskualifikuar për shkak të mungesës së dokumentacionit me te cilen do te dëshmohej pagesa e Depozitit. Vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 7,840,666€”, thuhet në komunikatën e AKP.

Në këtë valë, nëntë ndërmarrje janë tenderuar, 6 prej tyre kanë qenë toka bujqësore, ndërsa me çmim më të lartë, prej 3 milionë e 610 mijë euro, është shitur toka bujqësore 167 hektarëve në rajonin e Dukagjinit “Zidi i Sadik Agës”.


Pas kësaj ndërmarrjeje, me çmim me të lartë janë shitur zyrat e “Kosova Elektros” në Zonën Industriale me çmim prej 1 milion e 50 mijë euro. Toka bujqësore “Tuqep” është shitur për 621 mijë euro, toka bujqësore “Veriq” 601 mijë euro, toka bujqësore “Nagllavk” 576 mijë euro, toka bujqësore “Kërninë” 481 mijë euro, agro qendra “Bashkimi” në Xërxë është shitur mbi 422 mijë euro, ferma “Picel” 66 mijë euro dhe shitoret e ndërmarrjes “Tregtia” janë shitur për rreth 412 mijë euro./ Telegrafi/