LAJMI I FUNDIT:

Kthehet në prodhim njësia A3 e TC Kosova A – furnizimi sipas planit A,B,C

Kthehet në prodhim njësia A3 e TC Kosova A – furnizimi sipas planit A,B,C

Specialistët e KEK-ut kanë vënë në prodhim njësinë A3 e TC “Kosova A”, e cila ishte ndalur sot rreth orës 00: 30, pas tri rrjedhjeve, në kaldajë, në këmbyesin PS50 dhe në valvulet shiberike në avullsjellësin kryesor para turbinës. Ekipi sanues menjëherë ka riparuar dy rrjedhjet e para, por pasi riparimi i valvuleve kërkon kushte specifike, atëherë për sanim është dashur të pritet më gjatë. Riparimi është bërë në kohë rekorde dhe menjëherë është lëshuar në punë.

Pos bllokut A3, që prodhon 130 megavatë/orë energji elektrike, në prodhim janë edhe dy njësitë e TC “Kosova B”, përkatësisht B1 me 245 megavatë/orë dhe B2 me 260 megavatë/orë, HC “Ujmani” në orët e pikut me 32 megavatë/orë dhe importi që shkon deri në 150 megavatë/orë.

Furnizimi po bëhet sipas kategorisë ABC. Kategoria A po furnizohet 5:1 ose 4:2, kategoria B 4:2 ose 3:3 dhe kategoria C 3:3 ose 2:4 (varësisht nga kërkesa).

Furnizimi me energji elektrike pritet të stabilizohet të premten në mëngjes, kur planifikohet lëshimi në sistem i njësisë A5 të TC “Kosova A”. Kjo njësi është në fazën finale të testimeve dhe pas arritjes së kapaciteteve maksimale siç parashihen me kontratë do të bëhet pranimi nga kontraktuesit.