LAJMI I FUNDIT:

KEK: Blloku kthehet në punë sot pasdite

KEK: Blloku kthehet në punë sot pasdite

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 00: 30 në mesnatë, pas dy rrjedhjeve në kaldajë, blloku A3 i TC “Kosova A” është ndalur nga prodhimi, gjë që ka rritur orarin e reduktimeve në vend.

“Ekipi sanues menjëherë ka riparuar defektet, por gjatë startimit në punë ka pasur problem me valvulat shiberike të anës së majtë para turbinës. Riparimi i tyre kërkon kushte specifike pune dhe merr kohë. Por, ekipi sanues po bën çmos që në afatin sa më të shpejtë ta evitojë këtë prishje dhe ta lëshojë bllokun sërish në prodhim. Kjo pritet të ndodhë sot pasdite”, thuhet në komunikatën për media të kësaj kompanie.

Sipas sajë, pas ndaljes së bllokut A3, sistemi energjetik i vendit po varet nga dy njësitë e TC “Kosova B”, përkatësisht B1 me 245 megavatë/orë dhe B2 me 260 megavatë/orë, HC “Ujmani” me 32 megavatë/orë dhe importi që shkon deri në 150 megavatë/orë.

“Furnizimi po bëhet sipas kategorisë ABC. Kategoria A po furnizohet 4:2 ose 3:3, kategoria B 3:3 ose 2:4 dhe kategoria C 2:4 ose 1:5. KEK kërkon ndjesë për këtë rëndim të reduktimeve. Në ndërkohë, kursimi i energjisë në dispozicion është i domosdoshëm për mbajtjen nën kontrollë të sistemit energjetik të vendit, deri në kthimin në punë të bllokut A3 të TC “Kosova A”, përfundon komunikata. /Telegrafi/