LAJMI I FUNDIT:

Arrihet marrëveshje për dhënie të huasë për Islandën

Arrihet marrëveshje për dhënie të huasë për Islandën

Vendet-anëtare të Fondit ndërkombëtar monetar arritën marrëveshje për huanë, të kërkuar nga Islanda, e cila do të votohet nga Bordi i drejtorëve të organizatës të mërkurën.

Drejtori i përgjithshëm i FNM-së Dominik Shtors Kan e kumtoi këtë vendim në konferencë për shtyp pas përfundimit të Samitit të G-20-shit në Uashington, por nuk e saktësoi vlerën, e cila mund t’i jepet Islandës. Sipas informatave paraprake, bëhet fjalë për shumë prej dy miliardë dollarëve.

Mes pesë dhe gjashtë mijë demonstrues protestuan dje në kryeqytetin e Islandës, Rejkjavik kundër Qeverisë dhe udhëheqësisë së Bankës qendrore.

Pjesëmarrësit në demonstrata, të cilët kërkojnë zgjedhje të reja dhe udhëheqës të rinj të bankës, mbanin parulla "Ndërpreni korrupsionin!", ndërsa disa prej tyre kanë hedhur letër toaleti drejt ndërtesës së Parlamentit.


Ekonomia e Islandës është goditur rëndë nga kriza financiare botërore. Tre bankat më të mëdha islandeze janë nacionalizuar në fillim të tetorit dhe Qeveria po negocon për ndihmë ndërkombëtare.

Numër i madh i qytetarëve të Islandës kanë humbur shuma të mëdha të parave dhe ata protestojnë tani pesë javë çdo të shtunë nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa numri i pjesërmarrësve në protesta vazhdimisht po rritet.