LAJMI I FUNDIT:

Gjermanët investojnë 23 milionë euro në energjetikën e Kosovës

Gjermanët investojnë 23 milionë euro në energjetikën e Kosovës

Zëvendëspresidenti i Bankës gjermane KFW, Rolland Siller, tha se ndërtimi i nënstacionit Peja 3 që është investimi i parë i Gjermanisë në sistemin e transmisionit në Kosovë, do të pasojë me një investim tjetër të madh në ndërtimin e linjës interkonektive 400 KV të transmisionit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që tani është në përgatitje e sipër.

Në afërsi të fshatit Veriq të komunës së Istogut, të premten u vendos gurthemeli për ndërtimin e nënstacionit 400/110 KV Peja 3, në praninë e autoriteteve të larta të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të qeverisë gjermane, autoritetet lokale të Istogut etj.

Vlera e “Paket Projektit Peja 3” është 23 .3 milionë euro, prej të cilave 12.3 milionë euro do të financohen në formë granti nga qeveria gjermane, ndërsa 11 milionë euro nga qeveria e Kosovës.

Fadil Ismajli, drejtor i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) tha se zbatimi i “Paket Projektit Peja 3” është i një rëndësie të madhe për rritjen e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike në Kosovë.


”Në 25 vitet e fundit ky është projekti më i madh dhe deri më tani më i rëndësishmi”, tha Ismajli.

Ministrja e Energjetikës dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula tha se ndihma financiare dhe përkrahja e Gjermanisë ka qenë e konsiderueshme, dhe është praktikisht më e larta që Kosova përfiton nga komuniteti i shteteve donatorë.

Në kuadër të këtij projekti, i cili do të zgjasë 17 muaj, parashihet edhe ndërtimi i nënstacionit 110/10 KV në Skenderaj dhe me realizimin e këtij projekti do të kenë energji të mjaftueshme Peja, Istogu, Klina dhe Skenderaj. Ndërsa Kuvendi Komunal i Istogut ka ndarë sipërfaqen prej 6 hektarësh për ndërtimin e këtij nënstacioni. /Telegrafi/