LAJMI I FUNDIT:

Kosova në OBT, pas 5 vjetësh

Kosova në OBT, pas 5 vjetësh

Kosova nuk mund të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) edhe për një kohë të gjatë, pasi që ajo nuk i ka krijuar të gjitha parakushtet për të filluar një proces të mirëfilltë të aplikimit formal.

Sa i përket anëtarësisë së vendit në këtë institucion, Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se nuk duhet të krijojmë iluzione se anëtarësimi në OBT është një çështje shumë e lehtë.

Ai nënvizon faktin se është një procedurë shumë e gjatë, që fillon me marrëveshjet bilaterale me të gjitha shtete anëtare të OBT-së.

“Tash, pas pavarësisë dhe njohjes së saj nga shumë shtete, ka filluar procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe multilaterale, realisht deri më tani kemi një aplikacion në FMN dhe BB”.


Sipas tij, OBT i ka proceduarat që zakonisht janë të vështira dhe të komplikuara.

“Është iluzion të thuhet që anëtarësimi në OBT është çështje muajsh, përkundrazi , procedurat për anëtarësim në këtë organizatë zgjasin me vite dhe nuk janë subjekt vetëm i vullnetit të votës së vendeve, mirëpo janë subjekt i negociatave të gjata bilaterale me secilin vend anëtar të OBT-së”, ka thënë ai.

Rukiqi pohon se janë disa parakushte që një vend duhet t’i plotësojë për të aplikuar, një ndër më kryesoret është kushti që vendi të ketë një tërësi unike doganore, duke e pasur parasysh problemin e mosfunksionimit të plotë të doganave në disa pjesë të territorit të Kosovës i vështirësohet aplikimi.

”Kosova mund të ketë statusin e vëzhguesit dhe ky status parashihet për minimum pesë vjet".

Në rastin e vendeve të rajonit, shembulli më i mirë është ai i Kroacisë, e cila është anëtarësuar pas 7 vjet negociatash. Prandaj ne duhet të përgatitemi për një proces kompleks dhe të gjatë, jo të krijojmë iluzione se ne do të jemi pjesë e OBT-së brenda disa muajsh”, ka përfunduar ai.

Ndërsa Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, pohon se Kosova është përgatitur për aplikim në këtë organizëm dhe se shumë shpejt do të aplikojmë në këtë institucion.

“Ne, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet për aplikim. Dokumenti është i gatshëm, si dhe grupi punues i cili i ka kryer të gjitha punë që është dashur të kryhen”, ka potencuar ai.