LAJMI I FUNDIT:

FMN-ja promovon program për ndihmë të vendeve në zhvillim të goditur nga kriza globale

FMN-ja promovon program për ndihmë të vendeve në zhvillim të goditur nga kriza globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) promovon program të ri për dërgim urgjent të mjeteve financiare për vendet në zhvillim, të cilat kanë hyrë apo do të hynë në krizë financiare.

Bordi i drejtorëve të FMN-së mbrëmë e miratoi programin e ri për kredi afatshkurte, me të cilën thjeshtësohet dhe përshpejtohet procedura për pagesë të huave të shteteve në zhvillim, të cilat konfrontohen me probleme, si pasojë e krizës ekonomike globale.

"Kohët e pazakonta në të cilat jetojmë, kërkojnë masa të jashtëzakonshme… Fondi është i gatshëm të japë kontribut të vetin për tejkalimin e krizës financiare", deklaroi drejtori i FMN-së Dominik Stros-Kan, pas mbledhjes së Bordit të drejtorëve.

Ideja për përpunimin e një programi të këtillë u promovua në takimin e paradokohshëm të Grupit të 24 vendeve në zhvillim (G-24), në të cilën janë të anëtarësuara vendet e Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës.


Për nevojat e programit të ri Bordi i drejtorëve dhe FMN-ja miratoi fond prej gjithsej 100 miliardë dollarëve.

Me programin parashikohet pagesa e kredive me shkallë vjetore kamatore prej katër përqindëve dhe afat për pagesë deri një vit.

Kushtet për pagesën e këtyre kredive janë vendet-aplikante të kenë ekonomi stabile dhe politikë tatimore, shkallë të ulët të inflacionit dhe borxh jo shumë të madh të jashtëm. Mjetet e fituara nga kredia do të duhej të investoheshin në sektoret bankare të vendeve të rëna në krizë.

Mes kandidatëve më seriozë, të cilët pritet të parët t’i shfrytëzojnë këto kredi, sipas analistëve ekonomikë janë Turqia, Brazili dhe Korea Jugore. /mia/