LAJMI I FUNDIT:

ANP-ja merr licencë nga Islanda

ANP-ja merr licencë nga Islanda

Menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme (të enjten), do të pajiset me çertifikatë nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Islandës, i cili që nga viti 2004 ka qenë prezent në Aeroport dhe ka mbikëqyrur realizimin e projekteve e investimeve madhore me qëllim plotësimin e kushteve të sigurisë, të kërkuara sipas standardeve ndërkombëtare.

Bazuar në një njoftim zyrtar të ANP-së çertifikata që do të dorëzohet, paraqet një arritje të madhe jo vetëm për kompaninë, por edhe për qeverinë e Republikës së Kosovës duke pas parasysh planet e Qeverisë për të ardhmen e kompanisë, duke mos përjashtuar përgatitjet për Partneritetin Publiko Privat.

“Andaj, çertifikata që do të jepet nesër rritë atraktivitetin e ANP-së para investitorëve potencial të cilët mendojnë të derdhin kapitalin e tyre në këtë kompani”.

Në po të njëjtin njoftim zyrtar thuhet se, për të ardhur deri tek dita e sotme, ANP-së i janë dashur shumë punë dhe investime në shumta që arrijnë shifrën deri në 50 milion euro.


“Mjafton të përmendim vetëm disa prej investimeve kapitale si rishtresimi i pistës në shumën prej mbi 14 milion eurove, ndriçimit të pistës në shumën prej rreth 6 milion euro, rrugën dhe rrethojnë perimetrike si dhe shumë projekte të tjera, për të përshkruar punën e madhe që është bërë në këtë kompani. Gjithashtu duhet kujtuar që kjo shumë e madhe e investimeve është realizuar kryesisht nga buxheti i kompanisë”.

ANP-ja po ashtu ka njoftuar se çertifikata do të dorëzohet në një ceremoni solemne, ku janë të ftuar zyrtarët më të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës, si Ministra, Personeli Diplomatik, drejtues të ICO, Eulex, KFOR, TMK, Policia e Kosovës, Doganat. /Telegrafi/