LAJMI I FUNDIT:

“New York Times” pëson humbje të mëdha

“New York Times” pëson humbje të mëdha

“New York Times” ka deklaruar se ka pasur një humbje prej 16% në sektorin e reklamave, gjithashtu edhe aksionet e saj kanë rënë me 2.5 %.

"Kemi në plan të kërkojmë mundësi të reja për uljen e borxhit," tha në një deklaratë drejtoresha ekzekutive Xhanet Robinson.

Analisti Eduard Atorino i interpretoi fjalët e saj si një shenjë që “Times” mund të merrte në konsideratë shitjen e pronave.

Zëdhënësja e Times Katerin Matis nuk pranoi të thoshte se çfarë mund të shiste kompania.


Robinson u tha analistëve në një konferencë se në këtë periudhë ishte e vështirë që botuesit e gazetave të shisnin pronat e tyre. Aksionet e shumë gazetave kanë rënë.

Ndërkohë që kanë dalë disa blerës për gazetat individuale, kompanitë e tjera të shtypit nuk po arrijnë të shesin sepse blerësit potencialë mendojnë se çmimi është ende tepër i lartë.

Analistët mendojnë se “Globe” mund të jetë një nga pronat që do të shesë Time dhe në vitet e fundit, ish drejtori i General Electric mendoi ta blinte.

Ndërkohë vlera e saj është ulur dhe kjo shton vështirësinë që Times ta shesë me një çmim të faorshëm.

Disa analistë presin të shikojnë se çfarë do të thotë Times për borxhet që ka pasi botues si McClatchy Co dhe Gannett Co Inc janë nën vëzhgim nga agjencitë e dhënies së kredive.

Në fund të tremujorit, Times kishte 46 milionë dollarë dhe rreth 1.1 miliardë dollarë borxh.

Times kërkon të ulë shpenzimet dhe bordi drejtues ka në plan të rishikojë dividendët para fundit të vitit.

Kompania, e cila zotëron gazetën me emër, si dhe Globe e më shumë se 12 gazeta të tjera, tha se nuk e kishte të qartë si do të ishin të ardhurat në tremujorin e katërt, por tha se rëniet e tetorit ishin të ngjashme me ato të shtatorit.

Të ardhurat e shtatorit ranë me 8% dhe të ardhurat nga reklamat ranë me 14% për shkak të uljes së numrit të kopjeve të shitura.

Times tha se do të shtrinte uljen e shpenzimeve. Deri tani, ulja e shpenzimeve ka ardhur nga shkurtimi i vendeve të punës.