LAJMI I FUNDIT:

Nafta bie ne 66 dollarë

Nafta bie ne 66 dollarë

Vendet anëtare të OPEK-ut duhet të zvogëlojnë prodhimin e naftës për dy milionë barela në ditë, për shkak të rënies së vazhdueshme të çmimit, ka thënë ministri iranian për Naftë, Golamhosein Nozari.

Komentet e tija vijnë pasi që çmimi i naftës mbrëmë është liruar madje 6 për qind, në 66.75 dollarë për barel, që është niveli më i ulët në 16 muajt e fundit.

Nozari ka thënë të enjten në Vjenë, ku nesër do të mbahet takimi i OPEK-ut, se organizata duhet të balancojë tregun dhe ka shtuar se shkalla e rënies së kërkesave është e volitshme për zvogëlimin e prodhimit të naftës.

OPEK merr pjesë me madje 40 për qind në prodhimin botëror të naftës dhe numëron 13 vende anëtare, përfaqësuesit e të cilave në takimin e nesërm do të shqyrtojnë kuotat e prodhimit për tremujorin e katërt.


Analistët presin që prodhimi do të ulet për të paktën 1 milion barel në ditë.

Nafta më 11 korrik kishte arritur nivel rekord kur kishte kushtuar 147,27 dollarë për barel.

Kërkesat për benzinë në SHBA në katër javët e kaluara kishin qenë mesatarisht 8,8 milionë barel në ditë ose 4,3 për qind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rezervat e naftës janë të larta, pasi që disa nga vendet anëtare të OPEK-ut, i cili prodhon gjithsej 32,2 milionë barel naftë në ditë, kanë probleme me shitjen e naftës si pasojë e krizës financiare që po mbretëron në botë.