LAJMI I FUNDIT:

Bizneset duhet të raportojnë pasqyrat financiare

Bizneset duhet të raportojnë pasqyrat financiare

Gjendja në raportimet financiare në Kosovë është në një nivel të ultë dhe biznesi kosovar duhet ta kuptojë që raportimi financiar është çështje me interes edhe për të edhe për publikun. Në të kundërtën, varësisht nga madhësia e biznesit, do të pasojnë gjoba prej 10 mijë deri në 50 mijë euro.

Kështu thanë drejtues të Bordit Kosovar mbi raportimin financiar gjatë seminarit me përfaqësues të biznesit në Prishtinë rreth Prezantimit të të gjeturave mbi rishqyrtimin e sigurimit të cilësisë së raportimit financiar, që u organizua nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe e mbështetur nga Komisioni Evropian.

Në këtë seminar është vlerësuar, se në Kosovë ekziston nivel i ultë i raportimit financiar dhe pasqyrat financiare që bizneset i dorëzojnë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në të shumtën e rasteve nuk janë sipas standardeve të raportimit financiar.

Kryetari i Bordit Kosovar mbi raportimin financiar, Fatmir Gashi me këtë rast u shpreh, se bordi ka krijuar standarde të kontabilitetit dhe të auditimit, në përputhje me ato që përdoren në Evropë dhe në botë, përmes të cilave synon ta rrisë cilësinë e raportimit financiar.


"Bordi Kosovar mbi Standardet për Raportim Financiar, në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Shoqatën e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës, kanë bërë një anketim rreth raportimit financiar. Nga 36 kompani të përzgjedhura, vetëm 20 prej tyre i kanë dorëzuar pasqyrat".

Ndërmarrjet e mëdha, me qarkullim vjetor mbi 3 milionë euro, mjete themelore mbi 2 milionë dhe mbi 200 të punësuar, janë të obliguara të dorëzojnë raportet financiare sipas standardeve ndërkombëtare. /Telegrafi/