LAJMI I FUNDIT:

Greqi, qeveria ndan 28 miliardë euro për sistemin bankar

Greqi, qeveria ndan 28 miliardë euro për sistemin bankar

Qeveria greke ka vendosur të ndajë 28 miliardë euro kesh në dispozicion të sistemit bankar, që nuk i ka shpëtuar ndikimit të krizës globale.

Ministri grek i Ekonomisë dhe Financave, Jorgos Alogoskufis njoftoi pas një mbledhjeje të kabinetit, se shuma e premtuar do të lëvrohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas Alogoskufis, sistemi bankar grek konsiderohet ende i sigurt dhe rentabël. Por 28 miliardë eurot do të vihen në dispozicion me së shumti për mbështetje psikologjike të tregut të aksioneve, pas rënies drastike të aksioneve të bankave si pasojë e krizës ekonomike botërore të kohëve të fundit.

Greqia siguron depozitat bankare deri në 100 mije euro për të gjithë qytetarët e saj. Paketa e ndihmës parashikon masa për forcimin e këtij sistemi dhe vazhdimin e rritjes ekonomike me më tepër se 3% për vitin 2008, çka parashikohet të jetë me e larta në eurozonë.


Plani parashikon gjithashtu shtimin e likuiditeteve për bankat dhe rritjen e garancive të depozitave bankare. Pas ndërhyrjes së qeverisë, bursa e Athinës reagoi menjëherë duke shënuar mbi 5% rritje brenda pak minutash.