LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në Britaninë e Madhe më i madh në 16 vitet e fundit

Inflacioni në Britaninë e Madhe më i madh në 16 vitet e fundit

Inflacioni në Britaninë e Madhe në fund të shtatorit ka arritur 5,2 për qind, kumtoi sot Statistika shtetërore, duke sqaruar se bëhet fjalë për nivel më të madh inflator në 16 vitet e fundit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Londra.

Në fund të gushtit inflacioni ka arritur 4,7 për qind. Qeveria britanike parashikonte që inflacioni në vend të mos jetë më i lartë se dy për qind.

Si shkak kryesor për kërcimin kaq të lartë të inflacionit, më të madh nga viti 1992, theksohet shtrenjtimi i gazit për plot 50 për qind, i energjisë elektrike për 30 për qind, si dhe rritja e çmimeve e produkteve kryesore ushqimore.

Ekspertët ekonomikë britanikë thonë se inflacioni me rritjen e këtillë "me siguri e ka arritur majën e vet".


Parashikimi i këtillë shpjegohet me stagnimin e vërejtur të rritjes së çmimeve të ushqimit mes gushtit dhe shtatorit, si dhe me lirimin e naftës dhe benzinës.

Si faktor qetësues, i cili do të mund të ndihmojë për frenimin e inflacionit sqarohet vendimi i Bankës qendrore i Britanisë së Madhe që ta zvogëlojë kamatën bazë për 0,5 për qind javën e kaluar. Në Londër pritet kjo të përsëritet edhe një herë në muajin e ardhshëm.