LAJMI I FUNDIT:

Kosova merr pjesë në mbledhjen e FMN-së

Kosova merr pjesë në mbledhjen e FMN-së

Në kuadër të takimeve të vjeshtës, ose vjetore, të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Washington, për herë të parë këtë vit, i ftuar në cilësinë e vëzhguesit, edhe një delegacion i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala.

Kosova ka bërë kërkesën zyrtare për t’u anëtarësuar në këto organizata financiare ndërkombëtare, dhe sipas ministrit Shala, anëtarësimi mund të bëhet qysh në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

E gjithë procedura e anëtarësimit merr të paktën prej gjashtë deri në nëntë muaj, ndërkaq nga mesi i korrikut të dyja institucionet konfirmuan marrjen e aplikacionit nga Kosova.

Me qëllim të lehtësimit dhe përshpejtimit të anëtarësimit, gjatë qëndrimit në Washington, delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takime me zyrtarë të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe me përfaqësues delegacionesh që janë të rëndësishëm në vendimin mbi anëtarësimin e Kosovës.
FMN-ja ka 185 Guvernatorë, sa ka edhe vende anëtare dhe një vend i ri anëtarësohet me shumicën e votave të guvernatorëve.


Fuqinë votuese me shumicë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore e kanë vendet perëndimore, shumica e të cilave edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Anëtarësimi paraprak në FMN është kusht për t’u anëtarësuar në Bankën Botërore.

Në nëntor pritet të krijohet një komision për anëtarësim, i cili do të paraqesë raportin para Bordit të guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi kuotën dhe aksionet e Kosovës, që janë si parakusht për anëtarësim.

Anëtarësimi në FMN dhe në Bankën Botërore nuk kushtëzohet me anëtarësim paraprak në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.