LAJMI I FUNDIT:

Sërish rrjedhje në KEK, pëson njësia A4

Sërish rrjedhje në KEK, pëson njësia A4

Si pasojë e rrjedhjeve në kaldajë, njësia A4 e Termocentralit “Kosova A”, është ndalë nga puna sot, pas orës 10 të mëngjesit.

Bazuar në një njoftim zyrtar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas ndaljes nga puna, menjëherë ka filluar ftohja e kaldasë së njësisë A4 të TC “Kosova A”.

“Pas ftohjes do të fillojë sanimi i defektit dhe blloku do të kthehet në sistem sa më shpejtë të jetë e mundur”.

Ndryshe KEK-u ka njoftuar se sistemi energjetike në vend është duke u varur nga puna e njësive të TC “Kosova B”, B1 me 244 megavat orë energji dhe B2 e cila prodhon 276 megavat orë energji elektrike, HC “Ujmani” që gjatë pikut prodhon 32 megavat orë dhe importi rreth 110- megavat orë.


“ Pra, në dispozicion janë 662 megavat orë energji elektrike”.

Në njoftimin zyrtar të KEK-ut po ashtu thuhet se furnizimi aktual i konsumatorëve me energji elektrike është duke u bërë 24 me 0 për të gjitha kategoritë.

“Por me rritjen e kërkesës në orët e pikut, mund të ketë reduktime, për kategorinë A, 24 me 0 ose 5 me 1, kategorinë B, 5 me 1 ose 4 me 2 dhe për kategorinë C, 4 me 2 ose 3 me 3”. /Telegrafi/