LAJMI I FUNDIT:

Plan kundër kontrabandës në veri të Kosovës

Plan kundër kontrabandës në veri të Kosovës

Kontrabandimi me mallra, i cili është paraqitur si fenomen dhe dukuri joshëse për një numër të madh individësh dhe grupe të pastrukturuara me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm e ka detyruar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa konkret në luftimin dhe parandalimin e këtij fenomeni, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Që nga 1 tetori i këtij viti, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, në përkrahje dhe bashkëveprim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë e kanë hartuar planin e përbashkët për luftimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Plani i veprimit policor, të cilin Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë e ka hartuar që nga muaji qershor i këtij viti, është modifikuar edhe me disa elemente shtesë për t’i pamundësuar edhe më shumë grupet e ndryshme për përfitime nga elementet e kontrabandimit.

Fenomeni i kontrabandimit ka paraqitur situatë mjaft sfiduese për Policinë e Kosovës, e cila është përgjegjëse për luftimin e çdo dukurie negative të paraqitur në çdo formë të saj. Përceptimi i opinionit rreth fenomenit të kontrabandimit të mallrave e veçanërisht të derivateve të naftës, ka bërë që Policia e Kosovës t’i shtojë aktivitetet e saj në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative.

Vetëm gjatë kësaj fundjave, Policia e Kosovës në kuadër të zbatimit të planit të veprimit, në pikat e kontrollit të vendosura në lokacione të ndryshme dhe në rrugë magjistrale i ka regjistruar dhe inicuar shtatë raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme kryesisht të derivateve të naftës, përfshirë këtu edhe pije alkoolike.


Të gjitha rastet e iniciuara nga policia i janë dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë për procedurë të mëtejme ligjore.

Trendi i zhvillimit të fenomenit të kontrabandimit konsiderohet të ketë shënuar rënie drastike krahasuar me muajt e mëhershëm, ndërsa Policia e Kosovës, në bashkëveprim me institucionet tjera do të vazhdojë me zbatimin e planit.