LAJMI I FUNDIT:

BSPK, përkrah fuqishëm protestën e punëtorëve të shëndetësisë

BSPK, përkrah fuqishëm protestën e punëtorëve të shëndetësisë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), me anë të një komunikate të lëshuar për shtyp ka njoftuar, se i përkrah fuqishëm kërkesat e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, duke konsideruar se ato kërkesa janë reale dhe të arsyeshme.

Në njoftimin zyrtar të BSPK-së thuhet, se kërkesat për rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë 50%, kthimi në procedurë i ligjit të Punës dhe atij mbi Sigurimin Shëndetësor, janë kërkesa fondamentale që do të duhej me urgjencë të plotësohen për të pasur një shërbim cilësor e efikas shëndetësor.

“BSPK-ja i mbështet kërkesat e kësaj sindikate dhe i përgëzon për mbajtjen e një greve të përgjegjshme dhe të dinjitetshme që përkon me etikën sindikale”.

BSPK-ja ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës , gjegjësisht nga Ministria e Shëndetësisë që urgjentisht ta shqyrtojë gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe të marrin masa për përmirësimin e gjendjes së rëndë në këtë sektor si dhe të arrihet një marrëveshje me FSSHK-në për plotësimin e kërkesave të tyre.


Njëherësh kryesia e BSPK-së, përbërë nga kryetari Haxhi Arifi dhe dy nënkryetarët Hasan Abazi dhe Xhafer Xhaferi u takuan të hënën me përfaqësues të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës me rastin e fillimit të grevës të punëtorëve shëndetësor.

Udhëheqësit e BSPK-së gjatë këtij takimi u njoftuan për detajet e grevës, shtrirjen e saj, për mbështetjen që po u jepet nga punëtorët shëndetësor si dhe për vendosmërinë e tyre në realizimin e kërkesave. /Telegrafi/