LAJMI I FUNDIT:

Eurozonë garanton huatë ndërbankare deri në 2009-ën

Eurozonë garanton huatë ndërbankare deri në 2009-ën

Kryetarët e shteteve më të mëdha të Europës kanë rënë dakord dje në Paris që të ndihmojnë bankat të dalin nga kriza financiare. Franca, Gjermania dhe Italia pritet që të jenë në mesin e vendeve që do të ndihmojnë për të zbatuar marrëveshjen e përbashkët të vendeve të eurozonës.

Takimi i jashtëzakonshëm i Eurogrupit për të gjetur një plan të përbashkët për daljen nga kriza financiare globale u mbyll me nënshkrimin e një akti të përbashkët. 15 përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së kanë arritur një marrëveshje mbi strategjinë që do të përdoret.

Vendet e BE-se kanë vendosur të garantojnë huatë ndërbankare deri më 31 dhjetor 2009. Dokumenti i përbashkët parashikon mundesinë për qeveritë t’i japin institucioneve financiare kapitalet e nevojshme për të siguruar funksionimin e mirë të ekonomisë dhe të impenjohen për rimëkëmbjen e instituteve të kredive në vështirësi.

Plani i zonës euro garanton kredi mes bankave dhe i siguron qeverisë kapital për të mbrojtur institucionet financiare. Ish krye-ekonomisti i Bankës Botërore, Joseph Stiglitz tha se "është shumë e qartë se bota do të shkojë drejt një ngadalësimi në ekonomi dhe drejt një reçensioni". "Unë mendoj se njerëzit do të kenë mjaft dyshime, përsa i takon modelit financiar amerikan”.


Në mbarë Evropën do të ketë takime të kabineteve teksa qeveritë përpiqen të zbatojnë marrëveshjen që u arrit në Paris. Në orët e vona të mbrëmjes të së dielës në Luksemburg diplomatët ende ishin duke kërkuar hollësi lidhur me planin e arritur nga vendet e zonës euro. Kriza financiare nuk është në axhendën zyrtare të takimit të ministrave të jashtëm, por ajo do të jetë e pamundur që të injorohet.

Detyra e tyre do të jetë të diskutojnë se çfarë roli do të ketë BE-ja për të përballuar krizën. Në Bruksel ditën e mërkurë zhvillohet një samit dhe do të jetë hera e parë që udhëheqësit e qeverive të BE-së mblidhen bashkë që prej kohës ku shpërtheu kriza.

Dy javë pas rrëshqitjes globale në tregjet financiare, që i detyroi udhëheqësit botëror të ndërmerrnin vendime, vlerat e aksioneve në bursat e Azisë kanë filluar të rriten. Indeksi kryesor në Australi pati një ngitje prej më shumë se 5.5 për qind. Shkëmbimet në Hong Kong u hapën me 2 për qind më lart, ndërkaq rritje të ngjashme u rregjistruan edhe në tregun e Koresë së Jugut.