LAJMI I FUNDIT:

Kriza financiare dënon Bill Gates

Kriza financiare dënon Bill Gates

Kriza financiare, përveçse ka tronditur bursat e të gjithë botës, ka ndryshuar edhe klasifikimin e 400 njerëzve më të pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një klasifikim ky, që bëhet nga revista prestigjioze “Forbes”. Lajmi më i fundit është se për herë të parë pas 15 vjetësh, Bill Gates humbet “fronin”, duke rënë nga vendi i parë si njeriu më i pasur në SHBA.

Kriza financiare i ka kushtuar themeluesit të kompanisë Microsoft më shumë se 1.5 miliardë dollarë. Në këtë mënyrë, Gates është detyruar të rrëzohet nga kreu i këtij klasifikimi.

Vendin e tij e ka zënë financieri amerikan, Warren Buffett.


Sipas revistës “Forbes”, e cila ka përllogaritur efektet e krizës përgjatë luhatjeve të bursave.

Berkshire Hathaway, krahu financiar i Buffett ka shtuar me 8 miliardë dollarë pasurinë e tij në periudhën nga 29 gushti deri në 1 tetor, duke e çuar atë në një total prej 58 miliardë dollarë.

Ndërkohë që pasuria e Microsoft, me humbjen prej 1.5 miliardë dollarë ra në kuotën e 55 miliardë dollarëve. Klasifikimi i ri, i bërë nga revista “Forbes”, do të publikohet në fund të këtij muaji.