LAJMI I FUNDIT:

KE ndan 122.7 milionë euro për Kosovën

KE ndan 122.7 milionë euro për Kosovën

Komisioni Evropian dhe Kosova nënshkruan të enjten në Prishtinë një Marrëveshje Financiare për të siguruar 122.7 milionë euro për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës sipas programit vjetor të Komisionit, Instrumentit për Para-Anëtarësim 2008.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Komisioneri për Zgjerim Oli Rehn tha se ka ardhur në Prishtinë për të treguar sa shumë kujdeset Komisioni, për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“122.7 milionë eurot e dedikuara për projektet që synojnë përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve në Kosovë janë një shenjë e fuqishme e përkushtimit tonë. Tash llogaris në autoritetet e Kosovës të sigurojnë një menaxhim të shëndoshë ekonomik, të vazhdojnë disiplinën fiskale dhe koordinimin efikas të donatorëve për ta bërë këtë zotim një sukses të vërtetë", ka deklaruar Rehn.

Ndryshe, programi prej 122.7 milionë eurosh mbulon 20 projekte. Ato trajtojnë një varg çështjesh, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbështetjen për media dhe shoqërinë civile.


Programi Vjetor 2008 është pjesë e zotimit të bërë për ndarjen e 508 milionë eurosh nga Komisioni Evropian në Konferencën e Donatorëve për Kosovën në korrik 2008.