LAJMI I FUNDIT:

Rëndohet ekonomia shqiptare, eksportet bien me 30 për qind

Rëndohet ekonomia shqiptare, eksportet bien me 30 për qind

Tregues gjithnjë e në rënie për ekonominë shqiptare, janë paraqitur në raportin e fundit të INSTAT, rreth bilancit të tregtisë së jashtme për muajin gusht 2008.

Në një kohë kur qeveria deklaron se ka përmirësuar kushtet për zhvillimin e biznesit vendas, ky i fundit nuk po jep shenja rritjeje, madje në disa sektorë të tij duken rënie.

Kjo duket qartë tek eksportet, të cilat në muajin gusht pësuan rënie me rreth 30% në krahasim me muajin korrik, ndërsa me vitin e kaluar, vërehet një rritje e lehtë me 18%.

Rënie e eksporteve do të thotë më pak aktivitet për biznesin vendas, sidomos ai prodhues, i cili në këtë periudhë të vitit nuk ka mundur
të furnizojë vendet e huaja me të cilat kryen tregti. Më të goditurit janë fasonistët, sektori që jep kontributin më të madh në rritjen e eksporteve. Këta të fundit, gjatë takimeve të kryera me drejtues të qeverisë, kanë bërë disa herë thirrje për rishikimin e disa taksave që rëndojnë mbi aktivitetin e tyre.


Një tjetër faktor, që ka përkeqësuar biznesin e prodhimit të veshjeve, ka qenë edhe furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, duke rritur koston te produkti final.

Në total, për muajin gusht niveli i eksporteve preku vlerën e rreth 80 milionë USD. Importet Një tjetër tregues që shpreh situatën jo të mirë ekonomike të vendit dhe që cenon seriozisht stabilitetin e çmimeve, janë importet.

Për periudhën në fjalë, niveli i importeve preku shifrën e rreth 400 milionë USD, me një rrije prej rreth 21.7% në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar.
Si përfundim, deficiti tregtar i këtij muaji është 320 milionë USD, duke shënuar një rritje prej 4.8% krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 22.8% krahasuar me gushtin e vitit 2007.