LAJMI I FUNDIT:

Rusi-Serbi: Mosmarrëveshje për energjetikën

Rusi-Serbi: Mosmarrëveshje për energjetikën

Një delegacion i lartë rus i ka tërhequr vëmendjen Beogradit që të respektojë marrëveshjen me Moskën në fushën e energjisë.

Marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve, në janarin e këtij viti, parasheh kalimin e një gazsjellësi nga Rusia drejt Evropës Perëndimore përmes Serbisë, dhe blerjen e kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit të Serbisë nga Moska.

Zyrtarët serbë kanë kërkuar të dinë sasinë e gazit që do transportohet përmes Serbisë, dhe e kanë vlerësuar si shumë të ulët çmimin me të cilin rusët kanë blerë kompaninë kryesore serbe të gazit.

Mlladan Dinkiq nga qeveria serbe tha se do përpiqet të rrisë çmimin e shitjes së kompanisë serbe para hyrjes në fuqi të marrëveshjes.


Por përfaqësuesi i Rusisë e ka kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se Serbia "po e ndryshon çmimin brenda ditësh" dhe se "marrëveshja nuk mund të rishikohet pjesërisht". /rel/