LAJMI I FUNDIT:

Vala ul çmimet për 20 %

Vala ul çmimet për 20 %

20 përqind më lirë krahasuar me operatorët tjerë në vend dhe vetëm 0.04 euro për minutë është oferta më e re e operatori publik mobil Vala për të gjithë konsumatorët e saj parapagim (Prepaid). Tarifat e reja do të fillojnë së aplikuari që nga dita e enjte dhe të gjitha çmimet e thirrjeve dhe SMS-ve përfshijnë edhe TVSH-në.

Bazuar në një njoftim zyrtar të Vala-së, kjo ofertë vjen si rezultat i vendimit të marrë sot, në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Post Telekomit të Kosovës (PTK).

"Mbi 800 000 konsumatorë me parapagim (Prepaid) që tash për tash i ka Vala më nuk do të paguajnë 0.10 euro për minutë, por do të paguajnë vetëm 0.08 euro për minut për thirrjet brenda rrjetit".

Vala po ashtu ka njoftuar se do të vazhdojë së aplikuari edhe tarifën off peak që fillon nga ora 21 dhe zgjatë deri në ora 07, e që do të ulet nga 0.05 euro në vetëm 0.04 euro për minut.


"Kjo tarifë gjithashtu do të aplikohet edhe gjatë ditëve të vikendit, duke filluar nga dita e premte në ora 21 deri në ditën e hënë në ora 07".

Në po të njejtin njoftim thuhet orari i tarifës së ulët (off peak) do të pësojë ndryshim duke filluar nga dita e enjte 25 shtator 2008, dhe do të llogaritet nga ora 21 deri në 07 të ditës së ardhshme derisa orari paraprak ishte nga 22 deri në 08.

"Operatori Vala do të vazhdojë edhe me tarifën tjetër e emëruar si extra off peak që fillon nga ora 01 dhe zgjatë deri në ora 06 dhe ajo është vetëm 0.02 euro për minut".

Vala ka njoftuar se shumë shpejt do të dal edhe me oferta dhe produkte të reja të cilat do të jenë shumë interesante për gjithë konsumatorët. /Telegrafi/