LAJMI I FUNDIT:

“Termokos”, shkyç nga rrjeti hotelin “Grand”

“Termokos”, shkyç nga rrjeti hotelin “Grand”

Aksioni i paralajmëruar nga ngrohtorja e qytetit “Termokos”, për shkyçje nga rrjeti të konsumatorëve buxhetor dhe të biznesit, të cilët kanë borxhe të papaguara që nga viti 1999 e këtej, ka filluar nga ana e ekipit të kësaj kompanie.

Ekipet e “Termokos”-it të premten kanë shkyçur nga rrjeti hotelin “Grand” për shkak të borxhit afër 115 mijë eurove që përfshin periudhën tetor 2006 – mars 2008.

Përfaqësuesi i “Termokosit”, Driton Hyseni gjatë këtij aksioni ka deklaruar se kompania ka paralajmëruar disa herë hotelin “Grand” për shkak të borxheve të papaguara, por ky i fundit nuk ka kryer obligimet e veta.

“Meqenëse “Grandi” nuk e ka shlyer borxhin, jemi detyruar që t’i dërgojmë edhe vërejtjen e fundit para shkyçjes dhe sot do të bëjmë shkyçjen”.


Mirëpo borxhi prej 115 mijë eurosh është kundërshtuar nga drejtues të hotelit “Grand”.

“Me 28 gusht kemi marrë informatë nga “Termokosi” se hoteli ka obligime në vlerë prej 393 mijë euro dhe me këtë jemi habitur. Më pas gjatë barazimit kemi ardhë në përfundim se "Grandi" ka 114 mijë euro borxh, por as më këtë shifër nuk jemi pajtuar”, tha Isa Rexha, auditor i brendshëm i hotelit “Grand”, duke shtuar se kompania ka faturat e blerjes së 85 nxehjeve me rastin e shpalljen e pavarësisë meqenëse nuk ka pasur ngrohje, ndërkohë faturimi është bërë sikur të kishte ngrohje.

“Borxhi i “Grand”-it është rreth 50 mijë euro”.

Ndryshe ekipet e “Termokos”-it thanë se aksioni i cili ka për qëllim ngritjen e shkallës së inkasimit do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me Qendrën Klinike Universitare, Ministrinë e Arsimit, etj. Ndërkohë borxhi total i konsumatorëve ndaj “Termokos”-it arrin shifrën mbi 16 milionë euro. /Telegrafi/