LAJMI I FUNDIT:

Kina, fituesja e madhe e krizës botërore

Kina, fituesja e madhe e krizës botërore

Bursat europiane u qetësuan disi dje, ndërsa ato aziatike vijuan rënien. Bursat në kontinentin europian përjetuan një ditë “pushim” dje pas ndërhyrjes së koordinuar të bankave qendrore në shpëtimin e ekonomisë botërore nga kriza.

Bursat e Milanos, Londrës, Frankfurtit etj., pësuan një rritje të papërfillshme pas disa ditësh rënieje dramatike. Në anën tjetër të botës, bursat aziatike humbën qindra-miliardë dollarë vlerë aksionesh pasi vijoi rënia e nisur në bursat amerikane të martën.

Në Rusi, autoritetet kanë mbyllur tregtinë e aksioneve në dy bursat kryesore të vendit, me shpresë për të qetësuar gjakrat. Bursa e Moskës ka humbur gati 60% të vlerës në më pak se një muaj. Bankat qendrore vijuan të luajnë një rol agresiv në tregje, duke furnizuar likuiditete të mëdha me qëllim që të shmangnin nevojën e investitorëve për të shitur aksione.

Sipas analistëve, themeli i krizës së sotme qëndron në faktin se kriza e bankave ka lënë investitorët pa linja krediti, duke i detyruar të sigurojnë likuiditete gjetkë.


Por lajmi më tronditës për investitorët dje qe fakti se një fond kinez investimesh nën pronësi shtetërore, po negocion për të blerë 49% të bankës historike “Morgan Stanley” dhe se kjo e fundit po bëhet gati të shitet në mënyrë që të shpëtojë besimin e investitorëve dhe të shmangë një fund të ngjashëm me Lehman Brothers. “Morgan Stanley” e ka të domosdoshme të gjejë një partner të besueshëm për shkak se aksionet e saj kanë rënë me 20% vetëm gjatë ditës së djeshme.

Tani shumë frikësohen se Kina mund të bëhet një superfuqi në Wall Street pasi kriza botërore e ditëve tona e ka prekur këtë vend shumë pak në krahasim me vendet perëndimore.

Shitja e një pakete të madhe aksionesh të një prej kompanive më legjendare të Nju Jorkut te kompania kineze pritet të shkaktojë përplasje të mëdha politike në Uashington. Politika shpreson se zgjidhja për “Morgan Stanley” mund të gjendet brenda Amerikës. Vetë kompania, nuk bëri komente.