LAJMI I FUNDIT:

Pezullohen rreth 60 milionë euro ndëshkime të bizneseve

Pezullohen rreth 60 milionë euro ndëshkime të bizneseve

Qeveria e Kosovës ka marrë vednim që të pezullojë rreth 60 milionë euro ndëshkime të tatimeve të grumbulluara nga kompanitë dhe bizneset të cilat aknë borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Me këtë vendim të gjitha bizneset kanë mundësi që deri më 31 dhjetor të bëjnë marrëveshje me administratën tatimore, dhe të paguajnë vetëm shumën e borxhit dhe kamatës, kurse do të lirohen nga ndëshkimet.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, gjatë një konference të mbajtur për shtyp, tha se qëllimi i këtij vendimi është që të krijohen lehtësira për bizneset që t’i paguajnë borxhet tatimore.

“Qëllim tjetër ka qenë edhe dhënia e mundësisë për bizneset që ato të bëhen të rregullta në kryerjen e obligimeve të tyre tatimore, si dhe të bëhet vënia e theksit në respektimin e ligjit dhe rendit, veçanërisht respektit për ligjet tatimore të Kosovës”.

Kreu i MEF-it, po ashtu ka thënë se vendimi i qeverisë për pezullimin e ndëshkimeve është shansi i fundit që bizneset të kryejnë obligimet e tyre ndaj ATK-së.


"Qeveria e Kosovës po bën përpjekje që ta krijojë një ambient sa më joshës, sa më konkurrues dhe sa më lehtësues për bizneset e Kosovës dhe për bizneset ndërkombëtare që dëshirojnë të vijnë të investojnë dhe tregtojnë në Republikën e Kosovës”.

Ndërsa, Naim Fetahu, drejtor i ATK-së, tha se do ta zbatojnë vendimin e Qeverisë për heqjen e ndëshkimeve dhe se për këtë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Prej vitit 2000-2008 bizneset kanë krijuar borxhe të mëdha ndaj ATK-së, kështu që shuma e përgjithshme arrin në 107 milionë e 704 mijë e 220 euro, ose 44% nga tatimi i përgjithshëm. Prej kësaj shume, 59 milionë e 720 mijë e 615 euro janë shuma e ndëshkimeve, apo 24.47% e tërë borxhit.

Ndërkaq, gjithsej borxhet tatimore, duke i llogaritur edhe ndëshkimet me mbi 59 milionë euro dhe interesat prej 73.963.692 euro, totali i borxheve tatimore arrin në 241 milionë e 406 mijë e 834 euro. /Telegrafi/