LAJMI I FUNDIT:

Malik: Kosova jo e gatshme të thithë investimet

Malik: Kosova jo e gatshme të thithë investimet

Ministri britanik për Zhvillim Ndërkombëtar, Shahid Malik, ka deklaruar për BBC se Kosova nuk është ende e gatshme të thithë gjithë donacionet, prej 1 miliard e 200 milionë eurosh, të zotuara në Konferencën e donatorëve, të mbajtur në korrik në Bruksel.

Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të reformohet me qëllim që të sigurohet se donacionet e bashkësisë ndërkombëtare do të përdoren sa më mirë të jetë e mundur.

Malik e cilësoi Kosovën si vendin më të varfër në Evropë por theksoi se bashkësia ndërkombëtare dhe në veçanti Qeveria e Britanisë së Madhe do ta ndihmojnë zhvillimin e saj.

Sipas tij, një qeverisje e mirë dhe transparente si dhe luftimi i korrupsionit janë elemente kyçe për zhvillimin e Kosovës, përfshirë edhe stabilitetin dhe rendin dhe ligjin.


Ministri britanik tha se Kosovës i duhen më shumë njohje ndërkombëtare. Malik është zyrtari më i lartë britanik që ka vizituar Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së saj. /bbc/