LAJMI I FUNDIT:

Digjet tërë dokumentacioni i privatizimit

Digjet tërë dokumentacioni i privatizimit

“Kosovo Trust Agency” (AKM), ishin të vetmet shkronja që shiheshin në cepin e një letre gjysmë të djegur mbi një skarë që shërben për të pjekur mish. Të tjerat ishin shndërruar në hi. Gjashtë vjet privatizimi ishin shkrumbur”, shkruan e përditshmja Express.

Sipas gazetës, në ditët e fundit të gushtit, kur zyrtarët nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), hynë në objektet e ish AKM-së, gjendja ishte katastrofale.

“Pasi udhëhoqën si mos më keq privatizimin në Kosovë, zyrtarët e Shtyllës së IV të UNMIK-ut së bashku me vartësit e AKM-së e bënë edhe gjënë e fundit monstruoze. Dogjën gjithçka të rëndësishme”.

Express po ashtu shkruan se një pjesë tjetër e dokumenteve të cilat kanë shpëtuar nga djegia, janë hedhur afër kontinerëve të bërllokut, përfshirë këto edhe dokumentet konfindenciale.


“Duket se dokumentet e hedhura në bërllok duhet ta kishin fatin e njëjtë, të digjeshin. Në to dominonin listat e punëtorëve që do të duhej të përfitonin nga 20% i shitjes”.

Sipas gazetës, dokumentet të cilët mbetën të padjegura, por të hedhura si mbeturina kanë shpëtuar pasi që në atë kohë ishte vendosur stafi i AKP-së, të cilët edhe kanë parandaluar një rojë të Bashkimit Evropian të futej brenda objektit. Ai dyshohej të ketë pasur qëllim djegien e dokumenteve tjera të mbetura.

Të gjitha këto fakte Express i ,dëshmon me anë të disa fotove të publikuara. Madje fajin më të madh ja hedh vetë shefit të Shtyllës së IV të UNMIK-ut, Paul Acdës i cili edhe kishte urdhëruar mbylljen e dyerve të AKM-së.