LAJMI I FUNDIT:

OEK ka vendosur të hapë në Tiranë përfaqësinë e saj

OEK ka vendosur të hapë në Tiranë përfaqësinë e saj

Komunitet e biznesit të Shqipërisë dhe të Kosovës pranuan se marrëdhëniet mes tyre nuk janë në nivel më të kënaqshëm. Komentet u bënë në Tiranë në një takim të Odave Ekonomike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Vërejtje për këtë gjendje bëri gjithashtu Ministri i Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj.

Limaj bëri përgjegjës biznesin për klimën e ftohtë sikurse u vërejt, të marrëdhënieve ekonomike mes të dy komuniteteve, të Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Politika nuk bën asgjë më tepër veçse krijon mundësi. Detyra jonë është të krijojmë hapësirë, e juaja të gjeni njeri-tjetrin, të gjeni interesin, bashkëpunimin. Ne nuk bëjmë asgjë më tepër. Ne nuk bëjmë ekonomi të planifikuar të një kohe të mëparshme të shokut Tito apo të shokut Enver. Ne ofrojmë mundësi dhe a i shfrytëzoni ju ato, kjo është puna juaj. Se, i shfrytëzoni, a doni t’i shfrytezoni apo doni të veproni ashtu siç është vepruar deri më tani”, tha Limaj.

Besim Beqaj, udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës tha se ka probleme, por dhe mundësi bashkëpunimi.


“Ekzistojnë probleme, niveli i shkëmbimit është shumë i vogël, mendoj se është edhe çështje e besimit të ndërsjellë mes të dy palëve. Kjo është edhe rrjedhojë e moskomunikimit dhe ndoshta të gjejmë mirëbesim të dyanshëm”.

Pikëpamje të ngjashme parashtroi edhe Gjok Uldedaj, kryetar i Odës Ekonomike të Shqipërisë.

“Institucione të biznesit të Tiranës do të trajtojnë me vëmendjen e duhur ato fenomene, të cilat edhe kanë ndodhur. Por, ka patur edhe ndonjë mungesë komunikimi për t’i njohur në këhë këto fenomene dhe për të marrë masat që të mos përsëriten, për të mos dëmtuar klimën e biznesit, për të përmirësuar komunikimin mes të dy komuniteteve, gjë nuk ka qenë në nivelin e duhur”.

Ndërkaq, Oda Ekonomike e Kosovës ka vendosur që të hapë në Tiranë përfaqësinë e saj. /RTK/