LAJMI I FUNDIT:

Kriza e energjisë, Kosova vetëm 50 MW drejt Shqipërisë

Kriza e energjisë, Kosova vetëm 50 MW drejt Shqipërisë

Rreth 130 gigavat, orë energji elektrike është borxhi që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka ndaj Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH), energji kjo e cila ishte marrë në formë të shkëmbimit, në kohën kur vendi ynë ishte në krizë energjetike. Megjithatë në kohën kur Shqipërisë i duhet kthimi i energjisë së huazuar, KEK-u ka kapacitet ti kthejë vetëm 50 megavat orë energji elektrike, pavarësisht se marrëveshja ishte që në ditë të kthehen nga 120 megavat orë energji elektrike.

“Kjo sasi e energjisë sipas marrëveshjes mes dy korporatave, ishte planifikuar të kthehet me nga 120 megavat orë në ditë, por për momentin për shkak të krizës në të cilën ndodhet KEK-u, janë duke u kthyer vetëm 50 megavat orë energji dhe një gjë e tillë është duke u bërë pas orëve të mesnatës”, ka deklaruar për “Ballkanweb”, Nezir Sinani, zëdhënës në KEK.

Në një gjendje, hiç me të mirë sa i përket furnizimit me energji elektrike, është edhe KESH-i i Shqipërisë, kjo për shkak se situata në liqenet e kaskadës së Drinit vazhdon të jetë e rënd.

“Ballkanweb”, shkruan se ditë më parë, KESH- ka njoftuar se KEK-u po i kthen energjinë elektrike të depozituar në muajt maj-qershor në një sasi prej 120 megavat orë gjatë 24 orëve.


Ndërkohë që situata në liqenet e kaskadës së Drinit vazhdon të jetë e vështirë, ku prurjet janë rreth tre herë më pak se mesatarja shumë vjeçare, madje kanë shënuar një rekord historik sa i përket sasisë së pakët të prurjeve të ujit në liqenin e Fierzës. Sasia e pakët e prurjeve ka ndikuar në rënien e nivelit të liqenit të HEC-it Fierzë.

Niveli i basenit të këtij hidrocentrali ka rënë në 276.40 metra, ndërkohë që kuota maksimale është 296 metër, ndërsa ajo minimale 252 metra. Burime të HEC-it Fierzë bëjnë të ditur se në këtë hidrocentral vazhdon prodhimi i energjisë elektrike dhe në punë është vetëm një turbinë, ndërkohë që në periudhë piku vihen në punë edhe turbinat e tjera. Pas mesnate kur fillon importi i energjisë elektrike nga Kosova, prodhimi në HEC-in e Fierzës ndërpritet deri në orën 06:00 të mëngjesit. Kaskada e Drinit dhe energjia e depozituar në Kosovë, rezervat e vetme energjetike të Shqipërisë.

Rezerva energjetike që ka krijuar KESH-i konsiderohet një burim i vetëm vendas për furnizimin e vendit me energji gjatë periudhës së mbetur të vitit. Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, në kaskadën e lumit Drin është krijuar një rezervë hidrike që llogaritet në 930 milion kilovat orë. Kësaj rezerve i shtohet edhe sasia prej 180 milion kilovat orë e depozituar në Kosovë.