LAJMI I FUNDIT:

Commerzbank dhe Dresdner Bank shkrihen në një bankë

Commerzbank dhe Dresdner Bank shkrihen në një bankë

Pas disa muaj bisedimesh fuzionimi është tashmë realitet. Të dielën Commerzbank fitoi tenderin prej 9,8 miliardë euro për të blerë filialin e shoqërisë si sigurimeve Alianz, Dresden Bank. Pas negociatave dhe tenderit më në fund gjithçka rrodhi ashtu siç e kish parashikuar Commerzbank. Dresdner Bank do të blihet dhe shuma e nevojshme pjesërisht do të paguhet përmes aksioneve. Alianz do të mbetet si aksionar në bord.

Commerzbank merr rol të rëndësishëm në tregun bankar

Këshilli mbikëqyrës të dielën dha licencën për shitjen. Ky ishte një vendim i mirë sipas Kristof Sharlah (Chriistoph Scharlaß), profesor në Akademinë e Bankave në Frankfurt dhe specialist për fuzionimet:

"Tani ne kemi një tjetër kampion kombëtar krahas Deutsche Bank. Çështja është, se si ky kampion kombëtar do të prezantohet në Evropë dhe në botë. Commerzbank shumë shpejt ka nisur të hulumtojë tregun në Evropën Lindore dhe ka zbuluar atje tregje. Kjo bankë duhet të vazhdojë ta ndjekë strategjinë e saj – sepse vetëm kështu ajo do të jetë në rrugën e drejtë për të qenë një lojtare globale. Nuk duhet të harrojmë, se bëhet fjalë për një kuotë në treg në biznesin gjerman të klientelës private prej 20%. Ka ende shumë konkurrentë siç janë bankat e kursimeve, Sparkassen dhe bankat popullore. Pra është edhe ky një hap i vogël, por i rëndësishëm për konsolidimin e peisazhit bankar në Gjermani. "
Nuk evitohen shkurtimet e vendeve të punës
Rreth 1000 miliardë euro do të jetë shuma e bilancit të bankës së re Commerzbank, kësisoj pas Deutsche Bank ajo do të jetë numri dy në Gjermani dhe shumë e aftë për të qenë aktive në tregun ndërkombëtar.


Fakti që shoqëria Alianz do të jetë aksionarja më e madhe me 30% të aksioneve, vlerësohet si mjaft pozitiv prej ekspertëve të bankave. Koncerni i sigurimeve mund të jetë një mbështetje për Commerzbank si p.sh. në rastin e investitorëve të huaj. Duket pra se do të ketë vetëm të fituar prej këtij fuzionimi.

Sipas njoftimeve të para të Commerzbank dhe të shoqëria Alianz duket se shqetësimi i sindikatave për shkurtimet e vendeve të punës nuk ka qenë pa bazë: 9000 vende pune do të shkurtohen që do të thotë mbi 13% të 67.000 vendeve të punës gjithsej. Këto shkurtime synohet të kryhen në mënyrë sa më sociale.

Aianz lë të nënkuptohet se mund të mbyllen rreth 600 filiale bankash. Peter Heimer, shef i këshillit profesional në Dresden Bank megjithatë nuk i ka humbur shpresat:

"Tani do të varet shumë prej asaj, se si do të zhvillohet procesi i fuzionimit. Ne dëshirojmë që të krijohet një bankë, e cila të ngjallë besim dhe të jetë e përgjegjshme. Për këtë kemi nevojë ne në gjendjen që ndodhemi aktualisht."

Si një ndër blerësit e mundshëm të Dresdner Bank krahas Commerzbank ishte edhe banka kineze China Development Bank. Në radhët e kryesisë së shoqërisë Alianz, siç mësohet nga qarqet financiare, ka pasur zëra edhe në favor të këtij opsioni. Madje edhe në radhët e personelit ka pasur mbështetje për mundësinë e blerjes nga jashtë, sepse parashikohej më pak humbje e vendeve të punës.

Por politika si dhe klientela e koncernit Alianz e Dresdner Bank ishin kundër këtij varianti. Gjigandi i sigurimeve Alianz e bleu Dresdner Bank në vitin 2001 për 24 miliardë euro. /Dw/