LAJMI I FUNDIT:

MEM, premton stabilizim të gjendjes energjetike

MEM, premton stabilizim të gjendjes energjetike

Pas kolapsit energjetik që ka kapluar vendin, udhëheqëa të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave (MEM), kanë premtuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për të mobilizuar segmentet kompetente në mënyrë që kjo gjendje të sanohet sa më parë.

Krerët e MEM-it, ministrja Justina Shiroka –Pula dhe zv/ministri Blerim Rexha me bashkëpunëtorë, sot rreth orës 10 ka vizituar Termocentralin “Kosova B” për tu njoftuar për së afërmi me gjendjen reale dhe mundësinë e sanimit të saj.

"Ministrja Pula ka kërkuar nga drejtuesit e KEK-ut që të bëjnë krejt çka është e mundur që brenda ditës së sotme të futet në sistem Blloku A3 i TC “Kosova A”, i cili ka kapacitet prodhues prej 130 megavatësh".

Në një njoftim të MEM-it thuhet se, kjo ministri ka marrë të gjitha masat që të siguroj import energjie me shkëmbim nga vendet e rajonit në mënyrë që zbutet sadopak gjendja aktuale.


"Përveç, Shqipërisë është arritur të sigurohet shkëmbim energjie edhe me vendet tjera të rajonit".

Gjatë vizitës së sotme udhëheqës të MEM-it kanë marrë premtimin nga KEK se furnizimi me energji do të filloj të stabilizohet në orët e vona gjatë natës së sotme, përderisa stabilizimi i sistemit energjetik do të bëhet pas kthimin në sistem të Bllokut B1 të TC “Kosova B”, që parashihet të kthehet nesër në mbrëmje.

"MEM kërkon mirëkuptimin e qytetarëve ngase përkeqësimi i furnizimit me energji ka ardhë nga shkaqe të paparashikueshme, ndërkohë që siguron qytetarët se ka marrë të gjitha masat që gjatë vikendit të stabilizohet furnizimi me energji".

MEM po ashtu ka njoftuar se stabilizimi i sistemit energjetik të vendit pritet të bëhet që në fillim të shtatorit kur në sistem do të jenë Blloqet B1 dhe B2 të TC Kosova B dhe Blloku A3 i TC Kosova A, të cilat së bashku prodhojnë rreth 620 megavat orë energji elektrike dhe Hidrocentrali i Ujmanit që gjatë pikut prodhon 32 megavat orë energji.

Ndryshe kolapsi energjetik që kaploi vendin ka ardhur si pasojë e rrjedhjeve në kaldanë e bllokut B1 të TC “Kosova B”, me ç’rast blloku është nxjerrë jashtë operimit duke ulur prodhimin vendor të energjisë për 230 megavatësh. I njejti bllok vetëm para pak kohësh është rikthyer në prodhim, pas një remonti vjetor që ishte duke ju bërë. /Telegrafi/