LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës,1 milion euro fitim gjatë korrikut

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës,1 milion euro fitim gjatë korrikut

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka potencuar se korriku, ishte ndër muajt më të mirë në historinë e aeroportit, sa i përket të ardhurave financiare, ku është siguruar një fitim neto prej gati 1 milion euro që e ka çuar fitimin neto të kompanisë për 7 muaj, në 3.6 milion euro.

Kjo shifër përbën rekord në bazë të krahasimeve me vitin e kaluar, pasi aeroporti që tani ka tejkaluar dukshëm fitimin neto të siguruar përgjatë një viti, gjatë 2007, i cili ishte vetëm 2.8 milion euro.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2008 kompania arriti të arkëtojë një fitim neto prej 2.6 milion eurove.

Ky fitim i siguruar, tregon edhe njëherë punën e mirë të menaxhmentit të kompanisë dhe qasjen e re, atë të përkushtimit ndaj konsumatorëve.


“ Jemi të përkushtuar në maksimum që përmes qasjes së re, gjithmonë në shërbime të konsumatorëve-udhëtarëve dhe aviokompanive, ta rrisim sa më shumë vlerën e kompanisë. Njëkohësisht jemi në përpjekje maksimale për të zvogëluar sa më shumë shpenzimet operative ”, tha Agron Musatafa, ( u.d ) i drejtorit menaxhues të ANP-së.

Po ashtu, investimet kapitale në ANP janë në përfundim e sipër, rishtresimi i pistës, ndriçimi i pistës, rrethoja perimetrike etj, në mënyrë që të përmbushen kushtet dhe ANP të marrë certifikatën e sigurisë nga ana e Organizatës Civile të Aviacionit Ndërkombëtar, thuhet mes tjerash në një komunikatë për opinion të lëshuar sot nga Zyra për informim pranë ANP./Telegrafi/