LAJMI I FUNDIT:

400 milionë eurot e privatizimit mbeten në Kosovë

400 milionë eurot e privatizimit mbeten në Kosovë

Fondi i privatizimit prej 400 milionë eurosh nuk do t`i shkojë Serbisë e as firmave të saja. Por as nuk do të investohen në resor apo projekte të ndryshme kapitale në Kosovë. Ky fond sipas Gazetes Express, duket se është i destinuar vetëm për të larë borxhet e ndërmarrjeve të shitura, që i kanë dhe i kanë pasur ndaj shumë subjekteve që janë në Kosovë dhe jashtë saj.

Këtë e garanton ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, dhe ligji i fundit i aprovuar për ndërmarrjet publike dhe shoqërore nga Kuvendi i Kosovës.

Para disa ditësh gazeta Express, ka publikuar disa interpretime të zyrtarëve ligjor të UNMIK`ut se fondi i privatizimit do t`i shkojë Serbisë dhe firmave të saja, në saje të titullarëve dhe aksioneve që kanë pasur në ndërmarrjet e privatizuara.

“Nëse dikujt duhet paguar borxhet me këtë fond, atëherë ky është populli dhe shteti i Kosovës”, tha Shala. Këtë e sqaron me largimin e punëtorëve nga puna, mos pagesën e asnjë takse këtij shteti dhe largimin e menaxhmentit kosovarë me dhunë nga udhëheqja e këtyre ndërmarrjeve.


“Nuk ka rrezik se do të humbin këto për shkak se ligji i Kosovës e garanton më së miri se kujt i takojnë ato para”, tha ministri i ekonomisë.

Për të rreziku më i madh mund të jetë mungesa e aftësisë së një trupe avokatësh të cilët do të garantonin apo mbronin këto para nëpër gjykata, qoftë ato edhe ndërkombëtare.

E për destinimin e këtyre parave në projekte kapitale, Shala është shumë skeptik se do të bëhen. Ai është më shumë i prirë të besoj se me këto para do të paguhen taksat e ndërmarrjeve publike që kanë pasur ndaj shtetit tonë dhe një pjesë shumë e vogël t`i shkojë edhe aksionarëve tjerë firmave të ndryshme, përfshi edhe ato serbe.

“Mund të ekzistojnë disa asete të vogla nëpër këto ndërmarrje ku mund të fitojë shpërblimin ndonjë kompani, por ajo shumë do të jetë mjaft e vogël sepse borxhi fillimisht do t`i paguhet shtetit të Kosovës”.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, mendon se rreziku i humbjes së fondit të privatizimit është shumë i vogël dhe për këtë duhet të përkujdesen seriozisht që mos t`u ikën nga dora.