LAJMI I FUNDIT:

Rriten depozitat dhe kreditë e bankave komerciale

Rriten depozitat dhe kreditë e bankave komerciale

Fuqia financiare e shtatë bankave komerciale në Kosovë, në tre mujorin e dytë të këtij viti është mbi 71.474.000 euro më e madhe se në tre mujorin e parë të vitit.

Depozitat në bankat komerciale në vend tashmë janë 1.223.661.000 euro. Rritja e depozitave kryesisht vërehet tek bankat me kapital të huaj, të cilat “ruajnë” afër 1 miliard e 130 milionë euro, e që llogariten të jenë afër 68 milionë euro më shumë se në tre mujorin e parë të vitit. Pro Credit Bank edhe në këtë bilanc vazhdon të jetë banka me pjesën më të madhe të depozitave në vend me mbi 504 milionë euro pasuar nga Raiffeisen Bank me afër 450 milionë euro.

Nga 90 milionë e 186 mijë euro sa kishin depozita në tre mujorin e parë të viti bankat me kapital vendor, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes , në tre mujorin e dytë depozitat në këto dy banka janë rritur vetëm 3 milionë e 761 mijë euro.

Ndërkohë, kreditë në po të njëjtën periudhë kohore ishin mbi 1 miliard e 9 milionë euro. Për dallim nga bilanci i tre mujorit të parë të vitit, plasmanet janë rritë për 115 milionë e 680 mijë euro. Tek bankat me kapital të huaj kreditë kanë shënuar rritje afër 109 milionë euro, përkatësisht duke arritur në shumën prej 937 milionë e 866 mijë euro.


Ndërsa bankat me kapital vendor kanë kredituar me 72 milionë e 33 mijë euro , ose afër 7 milionë euro më shumë se në tre mujorin e parë të viti.

Ndryshe në bilancin e tre mujorit të dytë të vitit sërish mungon gjendja e Komercialna Bankës nga Beogradi me degë në Mitrovicë. Kjo bankë është licencuar nga ish Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës tashmë Banka Qendrore e Kosovës, me 20 gusht të vitit të kaluar dhe që nga atëherë asnjëherë nuk ka raportuar gjendjen e bankës. Të paktën bilaci i saj mungon në ueb faqen e BQK-së. /Telegrafi/