LAJMI I FUNDIT:

Ndërkombëtarët rikthejnë Naim Huruglicën

Ndërkombëtarët rikthejnë Naim Huruglicën

Sipas gazetes Lajm, drejtori i suspenduar i Shërbimit Doganor të UNMIK-ut, Naim Huruglica, së shpejti pritet të rikthehet në vendin e tij të punës, pas presioneve që Qeveria e Kosovës ka marrë nga UNMIK-u, por edhe Ambasada amerikane në Prishtinë. Si UNMIK-u, ashtu edhe Ambasada Amerikane, kanë lënë të kuptohet se shkarkimi i Huruglicës nuk është në kompetencë të Qeverisë së Kosovës.

Burime të besueshme të gazetës brenda UNMIK-ut thonë se Naim Huruglica ka mundësi të kthehen në që nga fillimi i kësaj jave.

“Ambasada Amerikane ka bërë presione në Qeveri që ai të kthehet në punë. Doganat aktualisht nuk janë kompetencë e Qeverisë së Kosovës, kështu që Qeveria nuk mund të bëjë shkarkime të tilla” tha burimi i gazetës brenda UNMIK-ut.

Sipas këtij burimi, qëndrim të njëjtë kanë pasur edhe funksionarë të lartë të administratës ndërkombëtare në Kosovë.


Naim Huruglica nuk dëshiroi të japë ndonjë koment për gazetën lidhur me shkarkimin e tij, por as për rikthimin e tij postin që ka mbajtur.

“Nuk dua të flas deri sa të përfundojë procesi”, tha shkurt ai.

Edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës hezituan të shprehen qartë për rikthimin e tij të mundshëm.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuci tha se për këtë çështje duhet të pyetet ministri Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, mirëpo edhe ky i fundit nuk i pëlqen të flitet për këtë çështje. “E lëmë më mirë që për këtë çështje të flasim të hënën”, tha shkurt ministri Shala.

Mirëpo, pas insistimeve për një përgjigje, Shala u shpreh se nuk ka ndonjë presion nga dikush për ta kthyer drejtorin e suspenduar në punë.

Drejtori i Doganave të UNMIK-ut, Naim Huruglica, së bashku me sekretarin e ministrisë së Mjedisit, Muhamed Aliu, janë suspenduar nga puna si përgjegjës për lejimin e futjes në Kosovë të 60 tonëve më vaj disulfurik, e cila konsiderohet e rrezikshme për mjedisin.