LAJMI I FUNDIT:

“INSIG” gati për shitje, konkurrentët rrëmbejnë tregun

“INSIG” gati për shitje, konkurrentët rrëmbejnë tregun

Shitja e 61 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve parashikohet të realizohet brenda vitit. Procesi i shprehjes së interesit për kompaninë e sigurimeve “INSIG” është në përfundim dhe tashmë pritet vetëm vlerësimi i konsulentit. Prej mëse një muaji, qeveria ka bërë shpalljen për këtë privatizim në gazetën “Financial Times”, në pritje të investitorëve të mundshëm.

Ndërkohë kompania audituese “KPMG” po bën vlerësimin e aseteve të “INSUG”-ut. Në këtë mënyrë qeveria do të dijë vlerën e kompanisë së sigurimeve dhe do të ketë mundësi që të vendosë çmimin e referencës. Raporti i auditimit duhet të ishte dorëzuar në fund të korrikut, por procesi është zgjatur për shkak të vlerësimit fizik të kompanisë.

Procesi i privatizimit të 61 për qind të aksioneve të kompanisë “INSIG” është hapur që në vitin 2004. Pjesa e mbetur e aksioneve të kompanisë zotërohet nga institucionet financiare ndërkombëtare, BERZH dhe IFC, secila nga 19.5 për qind, ku njëkohësisht janë partnerë mbështetës të qeverisë në privatizimin e shoqërisë në fjalë. Gjatë këtyre katër viteve, kompania ka vazhduar që të humbasë treg, duke humbur rolin që ka pasur më parë.

Tashmë jemi në një situatë ku “INSIG” ka një portofol të sigurimit të Jo-Jetës njësoj si kompania e pestë në renditjen e bërë nga AMF. Për 5 mujorin e parë të vitit, kompania jo vetëm që ka humbur 1.2 milionë dollarë të ardhura, por nga vendi i tretë që ishte vjet, përsa i përket të ardhurave në treg, ka kaluar ne vend të pestë.


Situata ka patur një përmirësim për sa i përket sigurimit të Jo-Jetës gjatë periudhës 6 mujore, duke shënuar një rënie vetëm me rreth 5.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “INSIG”, sipas të dhënave të AMF-së, për 6 muajt e parë të vitit 2008 zotëron 11.86% të tregut të sigurimit të detyrueshëm, nga 14.62 për qind që ka qenë pjesa e zotëruar nga kompania me kapital shtetëror në të njëjtën periudhë të vitit 2007./Shekulli/