LAJMI I FUNDIT:

Rinas, në 6-mujorin e parë të vitit numri i udhëtarëve u rrit ndjeshëm

Rinas, në 6-mujorin e parë të vitit numri i udhëtarëve u rrit ndjeshëm

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës shënoi një rritje prej rreth 19 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare, TIA ka regjistruar një numër prej 540.585 pasagjerësh në gjysmën e parë të vitit 2008, duke shënuar kështu një rritje në masën 19 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Burimet e mësipërme bënë të ditur se pas përmbushjes së shifrës së 1 milion pasagjerëve në vitin 2007, është shënuar sërish rritje në numrin e pasagjerëve me rreth 19 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit, çka është kombinuar me rritje edhe në lëvizjet e trafikut ajror.

Deri në shtator 2009 në këtë aeroport do të investohen afërsisht 20 milionë euro për zgjerimin e tij në mënyrë që t’i përgjigjen kësaj rritjeje. Ndërsa shumë shpejt Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të jetë i aftë të presë 1.5 milionë pasagjerë.


Që nga prilli i vitit 2005 e deri në vitin 2007 në aeroportin "Nënë Tereza" u investuan më shumë se 50 milionë euro me ndërtimin e një terminali të ri për udhëtarët, me instalimin e pajisjeve të reja për shërbime dhe sigurinë, duke rritur ndjeshëm numrin e udhëtarëve, fluturimeve dhe kompanive ajrore që zbresin tani në Shqipëri.