LAJMI I FUNDIT:

Lulëzojnë kazinotë ilegale

Lulëzojnë kazinotë ilegale

Sipas gazetës Express, tregu i bixhozit në vend vazhdon të funksionojë në mënyrë ilegale. Vetëm këtë vit janë hapur së paku tri biznese të cilat, që në pjesën e emërtimit të tyre e kanë edhe fjalën kazino. Ato organizojnë veprimtari zbavitëse, si bixhoz apo të vënit bast. Kështu figuron të paktën në Agjensionin e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

Express shkruan se, janë edhe dhjetëra të tjera, të cilat organizojnë bixhoz, por nuk e quajnë vetën kazino. Në bazë të Ligjit për lojëra të fatit, ato duhet të paguajnë nga 1 milion euro për licencë dhe 2 milionë si shumë monetare e rezervës fillestare të sigurimit. Po të paguanin, shuma totale që do të përfitonte buxheti dhe ajo e depozitës së sigurisë do të shkonte në dhjetëra milionë euro.

“Ato nuk kanë paguar asnjë për të operuar si kazino. Veprojnë në të shumtën si mini-kazino, duke deklaruar vetëm automatet për lojëra të fatit. Nga këto pagesa dhe që ka të drejtë operimi, sipas ligjit që e rregullon këtë veprimtari, është e liruar vetëm Lotaria e Kosovës”.

Në Administratës Tatimore, nga janari i këtij viti e deri më sot për marrjen e licencave të lojërave të fatit janë paguar vetëm 395 mijë e 500 euro. Në emër të pagesës së depozitit janë paguar 2 milionë e 150 mijë euro, kurse nga gjobat janë paguar gjithsej 20 mijë euro.


“Kazino në Kosovë është e licencuar vetëm një, ndërsa prej bastoreve në veprim licenca kanë 12 prej tyre”, ka deklaruar për Express zëvendësdrejtori i Departamentit të Lojërave të Fatit në ATK, Ekrem Hysenaj.

Ai ka shpjeguar se kazinoja e vetme e licencuar nuk është në funksion. Puna qëndron ndryshe me bastoret. “Në kuadër të 12 bastoreve të licencuara, veprojnë edhe 124 njësi të shpërndara në tërë territorin e Kosovës”.

Megjithëse pa licenca, pa raportuar në Ministri të Ekonomisë, subjektet që organizojnë lojëra dhe aktivitete zbavitëse fitojnë më mijëra euro brenda natës. Sipas ATK-së, shifra e qarkullimit të subjekteve që organizojnë lojëra të fatit në Kosovë është 1.6 milionë euro.

”Makinat e këtyre lojërave të fatit janë të ndërtuara në atë mënyrë që shtëpia (subjekti i organizimit të lojës) të dalë në fitim. Unë shpesh fitoj rreth 6 mijë euro në natë”, thotë pronari i një biznesi që vepron ngjashëm me kazinotë në Prishtinë.

Ai thotë se kazinoja shumë rrallë mund të dalë me humbje.

“Kjo mund të ndodhë një ose dy herë në muaj. Fitimin e lejon edhe ligji. Për pagesat ndaj lojtarëve ligji obligon organizatorët që në automatë të ndajnë minimum 70 për qind të shumës së grumbulluar. Ndërsa për kazino fitimi nuk është i përcaktuar”.