LAJMI I FUNDIT:

Ku do investohen mjetet e fituara nga rishikimi i buxhetit ?

Ku do investohen mjetet e fituara nga rishikimi i buxhetit ?

Sipas gazetës Express, nga rishikimi i buxhetit për këtë vit, fituesit më të mëdhenj janë Ministria e Transportit dhe KEK-u. MTPT planifikon të ndërtojë rrugë të reja me ato para, ndërsa KEK-u vetëm për import të rrymës do t’i shpenzojë 23 milionë euro.

"23 milionë eurot e fituara nga rishikimi i buxhetit KEK-u do ti shpenzojë për importimin e rrymës. Kjo për periudhën vjeshtë- dimër. Ndërsa shuma tjetër e mbetur nga buxheti që do t’i ndahet kësaj korporate, do të përdoret për largimin e masave të dheut nga miniera e Sibovcit jug-perëndimor. Por, ata ende nuk janë të njoftuar zyrtarisht mbi ndarjen e fondeve të reja pas rishqyrtimit të buxhetit nga ana e Qeverisë së Kosovës".

Gazeta shkruan se KEK-u, vetëm para një muaji, kishte marrë një shumë prej 84.4 milionë eurosh nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Kjo shumë i është ndarë korporatës në formë dy kredish për riparimin e bllokut A5 dhe për blerjen e ekskavatorëve të rinj. Më herët i ishin ndarë edhe rreth 17 milionë euro për import të rrymës, me autorizimin e kryeadministratorit të atëhershëm të UNMIK-ut, Joachim Ruecker.

"Përderisa për KEK janë ndarë rreth 130 milionë euro vetëm gjatë këtij viti, kjo korporatë ka aplikuar reduktime të rrepta edhe gjatë këtyre ditëve, kur konsumi është në nivelin minimal".


Ndërkohë sipas të përditshmës Express, ndryshe nga KEK-u mendon t’i shpenzojë paratë Ministria e Transportit, që edhe pa ato para ka shtruar rrugë anekënd Kosovës vetëm sivjet.

"Nga rreth 30 milionët që ka fituar, MTPT prej rishikimit të buxhetit më së shumti do të përfitojë magjistralja Fushë Kosovë- Aeroport. Për zgjerimin e kësaj magjistraleje do të shpenzohen diku afër 6 milionë euro. Rrugët që marrin rreth dy milionë për rehabilitim janë regjionalet Raushiq-Zajm, Arllat-Rahovec si dhe magjistralja Shtime-Ferizaj. Me këto të holla të ndara nga rishikimi i buxhetit të Kosovës do të ndërtohen edhe 10 rrugë të reja. Dy prej tyre vetëm do të asfaltohen".

Sipas MTPT, këto punime do të fillojnë brenda dhjetë dite pas marrjes së këtyre parave. “Me këto para do të përfitojë secila rrugë, qofshin ato të mëdha apo më të vogla, nëpër fshatra. Për ndërtimin e rrugëve të reja do të participojnë me bashkëpunim edhe kuvendet komunale”, ka deklaruar këshilltari i ministrit Limaj, Endrit Shala.

MTPT-ja ka fituar edhe me projektin Programi i Urave. Nga ky program përfiton Rrethrrotullimi te Stacioni i Autobusëve. Për këtë program do të shpenzohen mbi 4 milionë euro. Pa llogaritur milionët që ndahen nga rishikimi i buxhetit, MTPT-ja sivjet ka marrë nga buxheti i Kosovës rreth 80 milionë euro vetëm për projektet e infrastrukturës. Buxheti i kësaj ministrie pas rishikimit arrin në afro 150 milionë euro, pesëfish më tepër se një vit më herët.